Uji

Kriza e ujit, reduktime ditore në Gjilan

Për shkak të gjendjes emergjente të ujit të pijshëm Kuvendi Komunal në Gjilan  ka mbajtur sot një seancë të jashtëzakonshme.

Me këtë rast drejtoresha financiare e Kompanisë Regjionale të Ujësjellësit “Hidromorava”, Merita Xhelili, ka paraqitur raport për tejkalimin nga kjo situatë e rëndë.

Ajo tha se tash për tash po e aplikojnë orarin e reduktimeve për nëntë orë, nga 21:00-06:00, ndërkaq ka përmendur se nëse arrihet në pikën kritike, do të shkohet edhe me katër orë plus.

Siq bëhet e ditur në njoftimin e zyrës për informim në këtë komunë, kompania ‘Hidromorava’ dhe Komuna e Gjilanit janë duke punuar në gjetjen dhe shfrytëzimin e puseve të reja, siç janë te Kazerma e FSK, pastaj shpimi i puseve në lagjen “Porodin”, te Livadhet e Koretishtës dhe te ura e Livoçit.

Shefi i Grupit të Këshilltarëve të LDK’së, Avdyl Aliu, ka përgëzuar kryetarin Haziri dhe përfaqësuesit e kompanisë Hidromorava për angazhimin e jashtëzakonshëm për ta tejkaluar këtë gjendje emergjente.

“Por, mos harroni, problemet 50-vjeçare të ujit nuk mund të zgjidhen për pesë vite. E përgëzoj, në veçanti kryetarin Lutfi Haziri, për angazhimin dhe sensibilizimin e të gjithë faktorëve komunal, nacional dhe ata ndërkombëtar për ta kaluar këtë emergjencë dhe për të gjetur zgjidhje afatgjate për ujin e pijshëm”, citohet të ketë thënë Aliu.

Ndërkaq, në këtë pikë, kritika kanë shfaqur anëtarët e opozitës, Riza Abdyli (PDK), Nevzad Isufi (VV), Bujar Nevzati (PDK), Shefik Surdulli (PDK) dhe Isa Agushi (i pavarur).

Shefi i GK të Lëvizjes Vetëvendosje, Nevzad Isufi, ka kritikuar kompaninë Hidromorava që, sipas tij, nuk i kanë informuar qytetarët për orarin e reduktimeve nëpër lokalitet, derisa ai i PDK’së, Riza Abdyli, theksoi se këta hapa që janë ndërmarrë tash nga Komuna dhe Hidromorava, është dashur të merren më herët.

Në përgjigjen në kritikat e anëtarëve të Kuvendit Komunal nga radhët e opozitës, drejtoresha financiare e KRU Hidromorava, Merita Xhelili, tha se përmes faqes së tyre, qytetarët janë të informuar në vazhdimësi për orarin e reduktimeve, për të shtuar se situate emergjente po menaxhohet në mënyrën më të mirë.

Ajo ka njoftuar se 60 për qind e gjilanasve furnizohen me ujë të pijshëm nga Penda e Përlepnicës, ndërsa pjesa tjetër nga burimi në fshatin Velekincë dhe ai te “Baja”.

Në këtë seancë është miratuar Korniza Afatmesme Buxhetore (KAB) për vitin fiskal 2020 dhe vlerësimet e hershme për vitet 2020-2022.