Foto: Reporter.al

Krimi i dyfishtë në familje tronditi Korçën

Kur pa policinë të afrohej në rrugicën ku jetonte në qendër të Korçës, Sefedin Zenellari, 71 vjeç, u ngjit në taracën e katit të dytë të shtëpisë së tij dhe qëlloi veten me pistoletë.

Vetëvrasja zbardhi sipas policisë edhe vrasjen e Gramoz Nakos, 57 vjeç. Nako, kunat i 71-vjeçarit, ishte gjetur i vrarë në banesën e tij nga bashkëshortja të hënë pasdite. Motivet e krimit të dyfishtë janë ende të paqarta.

“Autori i dyshuar i kësaj ngjarje është kunati i tij shtetasi S.Z, 71 vjeç, banues në Korçë, i cili mëngjesin e datës 09.07.2019, në momentin kur shërbimet e Policisë kanë shkuar për ta shoqëruar në Komisariat, ky shtetas është vetvrarë me armë zjarri tip pistoletë, në banesën e tij ku jetonte i vetëm”, njoftoi policia në një komunikatë për median.

Nga hetimet rezultoi se Nako, i cili sapo ishte kthyer nga SHBA së bashku me bashkëshorten për të pushuar dhe takuar familjarët, u vra në banesën e tij në qendër të Korçës. Policia gjeti se ai ishte qëlluar me dy plumba në trup ndërsa në vendngjarje u gjetën tre gëzhoja. Ishte bashkëshortja e Gramoz Nakos 57 vjeçar dhe baba i dy fëmijëve, e cila kur hyri në banesë gjeti në tokë dhe të qëlluar me armë zjarri bashkëshortin.

Policia ngriti fillimisht si pistë hetimi mundësinë e një grabitje për shkak se viktima vinte nga SHBA, por kjo pistë krimi u rrëzua pasi në banesë nuk u konstatuan mungesa të orendive apo  shumave monetare e sendeve vetjake.

Pas autopsisë së viktimës u konfirmua se ai ishte vrarë, duke përjashtuar vetëvrasjen. Ndërkohë pas  deklarimeve në polici të të afërmve dhe të njohurve, por edhe kqyrjes së kamerave të siguris marrë nga bizneset përreth, policia vendosi të shoqëronte 71-vjeçarin.

Mëngjesin e së martës policia u drejtua në banesën e 71-vjeçarit për ta shoqëruar pasi ishin ngritur dyshime se ai mund të kishte lidhje me vrasjen. Por kur ka parë policinë që ishter drejtuar për te shtëpia e tij, Sefedin Zenellari është ngjitur në një sheshpushim të shtëpisë dhe është vetëqëlluar.

Policia thotë se vetëvrasja është kryer me të njëjtën armë zjarri me të cilën ishte qëlluar Nako, por ende nuk ka zbardhur motivet pas ngjarjes së rëndë.