Krimet e Urrejtjes Ndaj LGBTI-së të Paraportuara

“Kur është fjala për shkelje të të drejtave të personave që kanë të bëjnë me identitetin e tyre seksual, kur një rast shkon në prokurori, ai klasifikohet ndryshe, jo si krim nga urrejtja, por si sulm fizik”, tha Rajmonda Sylbije nga Qendra për Barazi dhe Liri, CEL, të marten në lansimin e raportit “Refleksione mbi të Drejtat e LGBTI-së në Kosovë”.

“Veprat nuk janë duke u klasifikuar si duhet”, këmbënguli Sylbije, duke aluduar për një problem në mbledhjen e të dhënave të ngacmimit me të cilat përballen pjesëtarët e komunitetit LGBTI.

Raporti, me bashkëautorësi të CEL dhe Qendrës për Zhvillim Social Group, CSGD, vlerëson çështjet ligjore, politike dhe arsimore të komunitetit LGBTI në Kosovë me të cilat ata janë përballur në vitin 2016.

Për shkak se viktimat e krimeve të urrejtjes shpesh hezitojnë t’i raportojnë policisë lokale, CEL ka prezantuar një fushatë “Raporto”, duke i inkurajuar viktimat që të raportojnë direkt te ata dhe duke iu ofruar mbështetje ligjore dhe psikologjike.

Gjashtë raste janë raportuar nga CEL në vitin 2016, dy nga të cilat rezultuan në viktima që të marrin ndihmë për të hyrë në një strehë të LGBTI-së në Tiranë, Shqipëri. Katër nga viktimat kanë kërkuar informacion rreth kërkesës për azil.

Megjithatë, ka një ngurrim të lartë për qytetarët që të raportojnë krimet e urrejtjes ndaj LGBTI-së në polici.

“Të gjitha [gjashtë] viktimat kanë refuzuar të raportojnë rastet e tyre në polici, pasi zakonisht ndodhë që autorët janë familjet e tyre”, thuhet në raport.

Vetëm katër raste të krimeve të urrejtjes kundër anëtarëve të komunitetit LGBTI janë raportuar në Policinë e Kosovës në vitin 2016, edhe pse “për shkak të mungesës së një mekanizmi përcjellës, ka mospërputhje të të dhënave për numrin e rasteve të raportuara në polici.”

Megjithatë, autorët thanë se, bashkëpunimi mes policisë dhe organizatave të LGBTI-së janë përmirësuar vitin e kaluar.

“Ka pasur një rritje të punonjësve të policisë të cilët punojnë në këto raste afër me komunitetin. Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka punuar një strategji për mbrojtjen e këtyre komuniteteve në kurrikulën e saj “, tha Arber Nuhiu, Drejtor Ekzekutiv CSGD.

Raporti thekson se ligjet për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Barazisë Gjinore ofrojnë garanci të mëdha për orientimin seksual dhe diskriminimin në baza gjinore në jetën publike dhe private.

Megjithatë, autorët argumentojnë se kuadri ligjor është i paplotë.

Për shembull, ka një kontradiktë mes Kushtetutës së Kosovës, e cila deklaron se “në bazë të vullnetit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet” dhe Ligjit për Familjen e Kosovës, i cili përcakton martesën mes një burri dhe një gruaje. Përveç kësaj, te  Ligji për Gjendjen Civile mungojnë dispozitat për ndryshimin e gjinisë.

“Përkundër kornizës ligjore të avancuar me disa të meta të theksuara … pengesa kryesore [është] zbatimi i këtyre akteve.”

Sondazhet e cituara në raport kanë gjetur që prokurorët janë “kundërshtarët më të mëdhenj për të drejtat e LGBTI-së” në mesin e sektorëve të tjerë shërbyes publik.

Raporti gjithashtu theksoi rolin që luajnë politikanët dhe gazetarët e Kosovës në avancimin e të drejtave  të komunitetit LGBTI.

Ka pasur një përmirësim të dukshëm në mbulimin mediatik gjatë vitit 2016, me një gjuhë më pak fyese dhe abuzive të përdorur në raportimin për çështjet LGBTI. Në përgjithësi edhe pse, raporti pohon që, gazetarët kanë “njohuri të cekët dhe të pamjaftueshme të çështjeve LGBTI.” Raporti gjithashtu kritikon faqet e internetit të mediave për dështimin për t’i monitoruar në internet komentet nxitëse të urrejtjes dhe dhunës ndaj komunitetit LGBTI.

“Reflektime mbi të drejtat e LGBTI-së në Kosovë” është mbështetur nga Ambasada e SHBA-së, BE-ja, dhe Qendra Sarajevski Otvoreni.

Ky raport fillimisht është botuar në gjuhën angleze në Prishtina Insight.