KRIK: Edhe Zvonko Veselinoviq i dyshuar në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Prokuroria Speciale e Kosovës, javën e kaluar bëri të ditur se i ka zgjeruar hetimet rreth vrasjes së ish-liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, edhe te dy persona të tjerë, ndërsa Rrjeti për Hulumtimin e Krimit të organizuar dhe Korrupsionit (KRIK) në Serbi raportoi të premten se pjesë e hetimeve tani është bërë edhe biznesmeni dhe njeriu i fuqishëm i veriut të Kosovës, Zvonko Veselinoviq.

Bashkë me Veselinoviq, siç raporton KRIK, pjesë e hetimeve është edhe Milan Mihajloviq.

I kontaktuar nga KALLXO.com, prokurori special Sylë Hoxha, i cili po e heton rastin e vrasjes së Ivanoviqit, nuk deshi të komentojë rreth hetimeve.

Këtë javë, Hoxha kishte konfirmuar zgjerimin e hetimeve për këtë vrasje edhe ndaj dy personave tjerë.

KRIK raportoi sot se vendimi i 12 prillit për zgjerimin e hetimeve ndaj edhe dy personave të tjerë të cilët, siç raportohet, janë të dyshuar për pjesëmarrje në grupe të krimit të organizuar, rrezikim të stafit të OKB-së dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe vrasje të rëndë.

Oliver Ivanoviq u vra në janar të vitit 2018 afër selisë së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut. Në nëntor të vitit të kaluar u arrestuan katër persona lidhur me këtë vrasje, ndërsa dy prej tyre janë liruar ndërkohë.

“Ne e kemi zgjeruar hetimin me dy persona të tjerë. Jemi në fazën fillestare në të cilën ata dyshohen për krim të organizuar,” kishte thënë prokurori special Sylë Hoxha këtë javë.

Ivanoviq, kryetari i partisë Liri, Demokraci dhe Drejtësi, u qëllua përpara zyrës së partisë së tij në qytetin e Mitrovicës veriore në Kosovë, më 16 janar 2018.

Një i dyshuar tjetër në këtë rast është edhe Milan Radoiciq, nënkryetar i partisë kryesore serbe të mbështetur nga Beogradi, Lista Serbe.

Radoiciq, një biznesmen, shihet gjerësisht si mbajtësi i vërtetë i pushtetit në Kosovën veriore me shumicë serbe.

Ai shmangu arrestimin më 23 nëntor dhe u larguar për në Serbi, ku autoritetet kanë pohuar se ai është i pafajshëm. Ai mohon përfshirjen në vrasjen e Ivanoviqit.

Ministri i Brendshëm serb Nebojsa Stefanoviq tha në janar se vetë hetimi i Serbisë për këtë rast po shqyrtonte lëvizjet e “individëve të caktuar” që ishin shfaqur në Kosovë, më pas ishin larguar drejt një vendi të paspecifikuar të Europës Perëndimore.

Në kohën e vrasjes, Ivanoviq po rigjykohej për urdhërimin e vrasjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Ai e kishte deklaruar veten të pafajshëm.