Konferenca për reformën në drejtësi

Krerët e Shtetit Diskutojnë Për Reformën në Drejtësi

Të gjithë krerët e institucioneve të Kosovës janë mbledhur sot në konferencën për rishikimin funksional të sektorit të drejtësisë në Kosovë.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si bartës i procesit të rishikimit hapi konferencën duke vlerësuar vitin 2018 si vit përcaktues sa i përket sistemit të drejtësisë, duke paralajmëruar reforma në këtë sistem.

“Viti 2018 shënon vitin përcaktues në të cilin institucionet dhe organet e drejtësisë po e hapin debatin për vlerësimin e sektorit të sundimit të ligjit”, tha ministrit Tahiri.

Në fjalën e tij, Presidenti Hashim Thaçi ofroi mbështetje për këtë proces. Ai shtoi se institucionet e Kosovës tashmë po marrin përgjegjësitë e plota dhe kërkoi nga këto institucione që të jenë në krye të detyrës.

“Sot është një ditë e rëndësishme meqë institucionet e Kosovës po marrin përgjegjësi të plotë në sektorët më të ndjeshme shtetëror. Ky është rezultat i pjekurisë institucionale dhe kapaciteteve profesionale të cilat me mund dhe sakrificë u krijuan  për të ndërtuar vendin tonë”, tha Thaçi.

Kryeparlamentari Veseli nënvizoi që ligjet duhet të zbatohen në mënyrë të plotë dhe të drejtë në mënyrë që të sigurohet një shtet i drejtë.

Por as në këtë konferencë ai nuk mundi ta shmangë temën e zvarritur të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Shumë shpejt ne do ta përmbyllim çështjen e shënjimit të kufirit me Malin e Zi. Është një vendim i cili e forcon sovranitetin tonë. Në të njëjtën kohë, i hap perspektivë integrimit euroatlantik por të kemi edhe një vendim nga vendet e Bashkimit Europian që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së. Një e drejtë të cilën e meritojnë dhe tani nuk e gëzojnë”, tha Veseli

Ndërkaq kryeministri Ramush Haradinaj tha se qeveria e Kosovës do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në fushën e sundimit të ligjit.

“Nuk është e tepërt për të thënë se sundimi i ligjit është prioritet i qeverisë së Republikës së Kosovës. Këtë e kemi dëshmu me kohën, energjinë, dhe resurset që ja kemi dedikuar sundimit të ligjit”, tha Haradinaj.

Zëvendës Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland theksoi se ky rishikim duhet patjetër ta adresojë korrupsionin dhe t’i identifikojë politikat në luftën ndaj korrupsionit. Sipas saj, komuniteti ndërkombëtar do të vazhdojë të asistojë në Kosovë, por që pret nga institucionet e Kosovës t’i kryejnë detyrat e tyre.

“Ne jemi të përkushtuar në suksesin tuaj dhe kemi kontribuar me resurse dhe ekspertizë në këtë përpjekje. Ju inkurajoj të përfitoni nga kjo dhe të vini te ne nëse keni nevojë për ndihmë dhe këshilla. Por ne presim nga ju të bëni të gjithë punën dhe e di se jeni gati për këtë”, tha Hylland.

Ndërkaq, Libor Chlad nga Zyra e BE-së ne Kosovë kërkoi nga institucionet e Kosovës që gjatë këtij procesi të rishikimit të mos fillojnë nga zero por të vazhdojnë punën që është bërë deri më tani.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi dhe Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj.

Një konferencë e ngjashme ishte organizuar edhe në vitin 2016 nga ish-Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha.