Foto: Ilustrim

Krerët e Policisë- Takim për Ditën e Zgjedhjeve

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni ftoi sot në një takim stafin drejtues të forcave të rendit për të diskutuar rreth planit për ofrimin e sigurisë në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

“Në takimin e ftuar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Shpend Maxhuni morën pjesë zëvendësdrejtorët e PK-së, drejtorët e departamenteve, divizioneve, drejtorive rajonale dhe komandantët e stacioneve policore”, thuhet në komunikatën e policisë.

Maxhuni në takim, sipas komunikatës, “kërkoi nga të gjithë eprorët e lartë policorë që të gjitha detyrat dhe plani policor për zgjedhjet të realizohet me profesionalizim dhe me përkushtim të lartë, të paanshëm, etik”.

Policia ka caktuar edhe “koordinatorë të policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces, si dhe njoftimin e të gjithë zyrtarëve policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor”.

Policia do të veprojë ndaj atyre që pengojnë votimin.

“Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira”, thuhet në komunikatë.