Krerët e institucioneve të drejtësisë mblidhen për rastin e 16 vjeçares në Drenas

Rasti i 16 vjeçares në Drenas ishte temë diskutimi gjatë takimit të sotëm të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministrit të Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa,  Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Krerët e institucioneve të rendit dhe ligjit vlerësuan rastin si një rast jashtëzakonisht i rëndë që shpërfaq nevojën e rritjes së llogaridhënies së institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë.

Në këtë takim është kërkuar që përgjigjja ndaj kryerësve të këtij krimi të jetë e menjëhershme dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Abelard Tahiri në këtë takim ka thënë se ata që abuzojnë me pushtetin institucional, duke shkelur autorizimet që u janë besuar, nuk do të mbesin pa u ndëshkuar.

Pjesëmarrësit në këtë takim kanë thënë se përkushtimi për të vazhduar fuqizimin e sektorit të sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke dhënë mesazh të qartë për të gjithë ata që nga jashtë apo brenda përpiqen të minojnë integritetin e institucioneve, ndaj të cilave qytetarët kanë dhe duhet të kenë besim të plotë.

Në takim po ashtu është ngritur si shqetësim edhe numri i madh i rasteve të grabitjeve të armatosura, dhe është kërkuar plan konkret nga Policia e Kosovës për të parandaluar në të ardhmen rrezikimin e sigurisë së qytetarëve nga rastet e tilla.

KALLXO.com ka marrë vesh se Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji policit i cili po dyshohet për dhunim dhe ngacmim seksual ndaj të miturës nga Drenasi.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Arben Hoti, vendimin e mori pas mbajtjes së seancës për caktimin e masës së sigurisë me ç’rast u shqyrtua kërkesa e Prokurorisë, e cila kërkoi paraburgim për të dyshuarin.

Vendimi është marrë prapa dyerve të mbyllura pasi që Gjykatësi i rastit nuk i ka lejuar mediat dhe publikun që të jenë të pranishëm në seancë.

I dyshuari V.V. ishte arrestuar ditën e djeshme nga Inspektorati Policor dhe me vendim të prokurorit i ishte caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të dhunimit dhe keqpërdorimi seksual, duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin.