Foto: FFK

Krerët e FFK-së bëjnë homazhe te varri i Fadil Vokrrit

Udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë bërë homazhe te varri i Fadil Vokrrit, me rastin e gjashtë mujorit të vdekjes së tij.

“Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në shoqëri të nënkryetarëve të KE-së, Bakir Burri, Agim Dibrani e Predrag Joviq, anëtarëve të KE-së, Vjollcë Krasniqi, Xhelal Broja e Ilaz Mjaku dhe sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, sot, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit, tashmë të ndjerë, Fadil Vokrri, në gjashtë mujorin e vdekjes së tij”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Më tutje thuhet se të pranishëm ishin edhe bashkëpunëtorë e familjarë të Fadil Vokrrit, pastaj drejtuesit dhe futbollistët e KF ‘Llapi’, drejtuesit e grupit të tifozëve “Dardanët” dhe dashamirë të ish-presidentit.

Me këtë rast u vendosen kurora lulesh dhe u bënë nderime për veprën dhe karrierën e Fadil Vokrrit.

Vokrri ka ndërruar jetë me 9 qershor, në moshën 57 vjeçare, pas një sulmi në zemër.

10 qershori ishte shpallur ditë zie në Kosovë për nder të ish-presidentit të FFK-së, Fadil Vokrri.

Homazhet për nder të Vokrrit janë mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës. Për ta nderuar numrin 9-të kishin ardhur njerëz nga e gjithë Kosova e më gjerë, politikanë, sportistë, dashamirë të sportit, miq të Vokrrit, familjarë, ambasadorë, përfaqësues të FIFA-s, etj.