Gjykimi ndaj komandantëve të UÇK-se për listat e veteranëve - 14.03.2019 - foto KALLXO..

Krejt çka ndodhi sot në gjykimin e komandantëve të UÇK-së

Pas më shumë se gjashtë muajsh që nga ngritja e aktakuzës, sot u bë e mundur mbajtja e seancës fillestare në rastin gjyqësor ndaj të akuzuarve për fryrjen e listave të veteranëve të UÇK-së.

Po të mos veçohej procedura penale ndaj dy të akuzuarve Ahmet Daku e Xhavit Jashari edhe sot nuk do të ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Pas konstatimit të mungesës së dy prej të akuzuarve, gjykatësja Nushe Kukaj-Mekaj ka kërkuar mendimin e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre lidhur me nevojën e veçimit të procedurës penale.

Lidhur me mungesën e dy të akuzuarve, prokurori i Prokurorisë Speciale Enver Krasniqi e konsideroi të panevojshme veçimin e procedurës penale pasi që sipas tij Gjykata me anë të urdhër-arrestit mund të siguroj prezencën e të akuzuarve në shqyrtim gjyqësor.

“Në rastin e cekur kemi t bëjmë me veprën penale në bashkëkryerje dhe meqë të pandehurit kanë qenë të njoftuar për datën e mbajtjes së seancës gjyqësore atëherë kërkoj që Gjykata të veproj në bazë të kodit të procedurës penale që të sigurohet prezenca e të pandehurve dhe jo të veçohet procedura penale”, deklaroi prokurori special Enver Krasniqi.

Veçimi i procedurës penale u kundërshtua edhe nga ana e të gjithë të akuzuarve si dhe mbrojtësve të tyre.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Çeku, avokati Ramë Gashi e kundërshtoi veçimin e procedurës penale, ai tha se njëri nga të akuzuarit e ka arsyetuar mungesën dhe se sipas tij Gjykata nuk duhet të nxitoj me këtë rast gjyqësor duke shtuar se nuk është duke u kërcënuar parashkrimi apo ndonjë ndryshim ligjor i mundshëm që do të ndikonte në procedurë.

“Ne sot dëgjuam se njëri nga dy të akuzuarit që mungon në seancën e sotme në bazë të shënimeve të verifikuara nuk qenka prezent në vend dhe se Gjykatën e paska njoftuar për mungesën e tij, besoj se kjo duhet të vlerësohet nga Gjykata dhe dua të them me plotë bindje se nuk duhet të shprehim nguti në këtë lëndë pasi që nuk kërcënohet ndonjë ndryshim ligjor, parashkrimi apo diçka tjetër”, tha avokati Ramë Gashi.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci e kundërshtoi fuqishëm propozimin për veçimin e procedurës penale pasi që ai tha se vetë të akuzuarit janë shumë të interesuar që ky proces gjyqësor të përfundoj sa më shpejtë dhe të vërtetohet pafajësia e tyre.

“Nëse dikush ka interes që ky gjykim me përfundu sa më shpejtë janë vetë të akuzuarit secili prej tyre e di se janë të pafajshëm e nëse dikush e ka zvarritë këtë proces është prokuroria me ato aktakuza të përmirësuara, e kundërshtoj fuqishëm këtë masë”, tha avokati Koci.

Ndonëse të gjithë palët në procedurë ishin kundër veçimit të procedurës, gjykatësja Nushe Kukaj-Mekaj mori aktvendim për veçimin e procedurës penale ndaj dy të akuzuarve duke konsideruar se janë plotësuar kushtet ligjore për veçim të procedurës penale me arsyetimin e mos prolongimit të mëtejmë të këtij procesi gjyqësor.

“Marrë parasysh se kemi të bëjmë me një numër të madh të të pandehurve, për shkak se kemi shumë të akuzuar dhe me qëllim që të mos prolongohet kjo çështje penale marrë aktvendim që të veçohet procedura penale ndaj Xhavit Jasharit dhe Ahmet Dakut”, deklaroi gjykatësja Nushe Kukaj-Mekaj.

 

https://kallxo.com/vendimi-i-fundit-i-gjykates-ndaj-komandanteve-te-uck-se-ne-rastin-e-fryrjes-se-listave-te-veteraneve/

 

Gjykatësja Kukaj-Mekaj kërkoi pëlqimin e të akuzuarve edhe lidhur me leximin e aktakuzës.

Edhe kësaj radhe edhe pse të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre e kundërshtuan leximin e aktakuzës me arsyetimin se i kanë pranuar të gjitha shkesat e lëndës dhe se e kanë lexuar aktakuzën, gjykatësja e rastit i kërkoi Prokurorisë që të lexoj aktakuzën.

Në pjesën e leximit të aktakuzës u lejua qëndrimi i publikut dhe mediave, kurse për pjesën e shtojcës në të cilën u lexuan emrat e personave të cilët pretendohet se kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme statusin e veteranit u përjashtuan publiku dhe mediat me qëllim të ruajtjes së identitetit të lartpërmendurve.

“Në seancën e shqyrtimit fillestar lexohet aktakuza, ashtu që do të lexohet e tera dhe për këtë Gjykata bije aktvendim, të lexohet aktakuza së bashku me shtojcën dhe në pjesën ku lexohet shtojca do të përjashtohet i gjithë publiku përfshirë edhe mediat përpos monitoruesve të EULEX-it dhe OSBE-së për shkak të mbrojtjes së të dhënave të cekura në shtojce”, deklaroi gjykatësja Kukaj-Mekaj.

 

https://kallxo.com/perkunder-refuzimit-te-komandateve-te-uck-se-gjykata-vendos-qe-tu-lexohet-akatakuza/

 

Ajo çfarë ra në sy gjatë momentit të leximit të aktakuzës ishte fakti se duke u bazuar në praktikën gjyqësore, çdo herë gjatë leximit të aktakuzës të akuzuarve u kërkohet të qëndrojnë në këmbë, por një gjë e tillë kësaj radhe nuk u kërkua nga “komandantët e UÇK-së”.

Pas leximit të aktakuzës të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.

”Unë e kundërshtoj në tërësi aktakuzën dhe deklarohem tërësisht i pafajshëm”, deklaroi Agim Çeku.

“Për mua është e paqartë aktakuza ndaj meje. Unë jam i pafajshëm”, tha Nuredin Lushtaku.

“Aktakuza është e pabazuar dhe e kundërshtoj komplet, e kundërshtoj në tërësi”, deklaroi Shkumbin Demalijaj.

Ngjashëm u deklaruan edhe të akuzuarit e tjerë.

 

https://kallxo.com/komandatet-e-uck-se-deklarohen-rreth-fajesise-per-akuzat-e-prokurorise-per-listat-e-veteraneve/

 

Pas deklarimit rreth fajësisë, gjykatësja kërkoi nga palët që të deklarohen lidhur me propozimin për caktimin e masës së sigurisë.

“Bazuar në përshkrimin faktik të veprimeve inkriminuese të të pandehurve rrjedh se përfitues nga buxheti i Kosovës janë persona të tretë dhe në një situatë të tillë kur me veprimet e të pandehurve, si rezultat i veprës penale fitojnë personat e tretë neni 469 i KPK-së ka përcaktuar rregulla për mbrojtjen e interesit të të dëmtuarit e që në rastin konkret kemi të bëjmë me dëmtim të buxhetit të Republikës së Kosovës. Andaj bazuar në faktin se personat e tretë të paraqitur në aneksin një të kësaj aktakuze si pasojë e veprës penale të të pandehurve nga fillimi i vitit 2015 e deri në muajin gusht 2018 kanë realizuar dobi pasurore në shumë prej 88.769.217.04 euro dhe me qëllim të realizimit të kërkesës pasurore-juridike dhe me qëllim të dëmtimit  të mëtejme të buxhetit të Republikës së Kosovës bazuar edhe në dispozitat ligjore që i cekem më lartë, Prokuroria i propozon kësaj Gjykate që ta aprovoj këtë kërkesë dhe ta lëshoj masën e përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore-juridike deri në fund të kësaj procedure penal”, deklaroi prokurori Enver Krasniqi.

Një kërkesë e tillë e Prokurorisë u kundërshtua zëshëm nga të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Propozimin e Prokurorisë për sigurimin e kërkesës pasurore juridike, avokati Ramë Gashi, mbrojtësi i të akuzuarit Agim Çeku, e konsideroi të kundërligjshëm.

“Propozimi për masën e përkohshme për sigurimin e kërkesës pasurore juridike i bërë me aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk është në pajtim me dispozitat e KPPRK-së e as në pajtim me dispozitat e zbatueshme për procedurën përmbarimore”, tha Gashi.

“Gjykatë e nderuar vetë aktakuza në dispozitivin e saj por edhe në propozimin e saj për shqyrtimin gjyqësor si palë të dëmtuar identifikon dhe thirr Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ju sot para vetes nuk keni një kërkesë për caktimin e masës së përkohshme nga personi i autorizuar ashtu siç e rregullon ligji, pra nga Ministria e Mirëqenies dhe Punës Sociale si palë e dëmtuar sipas pretendimit të aktakuzës”, shtoi avokati Gashi.

Kurse i akuzuari Shukri Buja, për kërkesën e Prokurorisë tha se bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi.

“Kërkesa e Prokurorisë përpos që është në kundërshtim me ligjet në Kosovë është në kundërshtim edhe me kushtetutën e Kosovës dhe është në kundërshtim me logjet në Kosovë”, tha Buja.

Pas marrjes së pëlqimit të të gjitha palëve në procedurë, gjykatësja Kukaj-Mekaj deklaroi se lidhur me vendimin për masën e përkohshme Gjykata do të vendos me vendim jashtë seancës dhe vendimi do të merret me shkrim.

Aktakuzën ndaj 12 të akuzuarve, anëtarë të Komisionit Qeveritar për përcaktimin e statusit të veteranit, do ta përfaqësojnë dy prokurorë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Valdet Gashi dhe Enver Krasniqi.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër 12 të pandehurve, për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët” në drejtim të veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në këtë rast janë të akuzuar Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demalijaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave, për lëndën e njohur në opinion si “VETERANËT”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Një muaj më pas, më saktësisht me 9 tetor, Gjykata e ka kthyer aktakuzën mbrapa duke kërkuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës përmirësimin e saj brenda 30 ditëve.

Prokuroria Speciale pasi nuk kishte arritur ta dorëzojë brenda afatit kohor të përcaktuar në aktvendim, kishte kërkuar nga gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj edhe 30 ditë kohë shtesë.

Aktakuza ishte kthyer me qëllim që të qartësohet se si e kanë kryer veprën penale të akuzuarit: Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaga, Shkumbin Demalijaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

Gjykata po ashtu ka kërkuar që të qartësohet edhe numri i  personave të cilët po pretendohet se po përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme, andaj është kërkuar nga Prokuroria Speciale që ta sqarojë numrin e përfituesve se a janë 20.238 apo 15.115 persona që marrin pensione nga buxheti i Kosovës.

Ndryshim Gjykata ka kërkuar edhe në kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e pagesës së pensioneve për 20 mijë e 238 veteranë luftëtarë deri në përfundim të procedurës penale, gjykatësja e rastit Nushe Kukaj-Mekaj kishte thënë se do të ishte më mirë që çështja e tillë të trajtohet në ndonjë procedurë tjetër pasi që sipas saj ekziston rreziku i zvarritjes deri në pakufi të këtij procesi gjyqësor.

Arsyeja e një zvarritjeje të tillë sipas Gjykatës është se nëse lejohet masa e sigurisë vendimi duhet t’u dërgohet 20.238, veteranëve, që janë të prekur nga kjo masë e që kanë të drejtë ankese, për të cilat duhet të vendos kolegji prej tre gjyqtarëve, dhe duke e pasur parasysh numrin e madh të ankesave që do të paraqiteshin, procesi gjyqësor do të zvarritej deri në pakufi.