Gjykimi për gjuajtjet me armë në odën e Fatmir Limajt – Foto: KALLXO.com

Krejt çka ndodhi në seancën 20-minutëshe për gjuajtjet me alltia në odën e Limajt

Ministra aktualë e një ish-kryetar komune janë shfaqur sot në mëngjes në Malishevë.

Arsyeja e ardhjes ishte seanca gjyqësore në degën e Gjykatës së Gjakovës në këtë qytezë.

Endrit Shala, ministër i Tregtisë, Dardan Gashi, zëvendëskryeministër e ministër i Diasporës, Sami Lushtaku, ish-kryetar i Komunës së Skenderajt, e bashkë me ta edhe të akuzuarit tjerë, Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati, kanë ardhur për t’u gjykuar për të shtënat me armë në odën e zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, në Banjë të Malishevës.

https://kallxo.com/sami-lushtaku-me-shoke-paraqiten-ne-gjyqin-per-alltia-ne-oden-e-fatmir-limajt/?fbclid=IwAR1Upl2cdSbesSmagaVslNjj12IkwqIbPoM1N547EIH2GdO6ALkDB94bJQQ

Të gjithë të akuzuarit erdhën bashkë me avokatët e tyre, të cilëve iu printe Arianit Koci, mbrojtës i Dardan Gashit.

Derisa po hynte në sallën e gjyqit, Sami Lushtaku, njëri nga të akuzuarit, komentoi edhe shpejtësinë e KALLXO.com për të raportuar.

“Fort ngutni me ardhë ju KALLXO.com”, tha Lushtaku kur pa në sallë kamerën dhe gazetarin e mediumit tonë.

https://kallxo.com/shtyhet-seanca-per-rastin-e-gjuajtjes-me-arme-ne-oden-e-fatmir-limajt/?fbclid=IwAR2EitBwjKr1EiolJT71OCGrBLY33WiOmsbxmXEI-FneRPovkBpBRie_aqA

Të pranishëm në sallë pos monitoruesve të KALLXO.com, e të shumë organizatave tjera, ishin edhe monitoruesit nga EULEX-i.

Gjyqtari i rastit, Njazi Morina, me të filluar seanca e pasi që konstatoi se prezentë ishin të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, i pyeti avokatët se a e kanë pranuar provën – ekspertiza e forenzikës, që ka të bëjë me karakterin e armëve me të cilat u gjuajt në odën e Limajt ku po festohej lirimi nga akuzat në një rast gjyqësor.

Por Arianit Koci dhe mbrojtësit e tjerë deklaruan që nuk e kishin pranuar këtë ekspertizë, e gjyqtari iu dorëzoi kopje të mjaftueshme.

Pas kësaj, avokati Koci propozoi shtyrjen e seancës.

“Meqenëse sot e pranuam këtë provë, mua më duhet kohë me e analizu e me konsultu me klientin tim, andaj kërkoj me shty këtë seancë për datë tjetër e me fillu të përgatitur”, tha avokati.

Fillimisht gjyqtari e konstatoi që avokati Koci sot në ditën kur parashihej të fillonte gjykimi e ka pranuar parashtresën e datës 7 shkurt, e edhe të gjithë avokatët tjerë propozuan që seanca të shtyhet për datë tjetër.

Prokurori Ismet Tofaj kërkoi fjalën e i njëjti u sqaroi të akuzuarve dhe avokatëve se ekspertiza e armëve, është provë për të gjithë të akuzuarit, e jo vetëm për të akuzuarin Dardan Gashi.

Ministri i Tregtisë Endrit Shala kur e morri ekspertizën e pyeti prokurorin se: ”A dolën që janë armë me gaz?”.

Prokurori i rastit ia ktheu: “Po, po, me gaz, por janë armë edhe ato”.

“Në ekspertizë vërtetohet se janë armë me gaz, por edhe këto armë janë të ndaluara sipas ligjit, sepse këto armë me gaz, mund të modifikohen dhe të përdoren si armë të rrezikshme”, theksoi prokurori.

Gjyqtari i rastit Njazi Morina fillimisht propozoi datën 1 mars për shqyrtimin fillestar, por Sami Lushtaku tha që në atë kohë do të udhëtojë jashtë shtetit për arsye shëndetësore, e kërkoi që gjykimi të shtyhet më vonë, pasi që nuk e di saktë se kur do të kthehet.

Arianit Koci, mbrojtësi i Dardan Gashit, kërkoi që gjykimi të shtyhet për datat më vonë se 20 mars, por këtë nuk e lejoi gjyqtari Morina.

“Jo, avokat, shumë vonë, nuk mundemi me leju që gjykimi me u shty aq gjatë”, tha gjyqtari Morina.

Pastaj, gjyqtari caktoi datën 27 shkurt në ora 10:00, për mbajtjen e shqyrtimit fillestar.

Në këtë shqyrtim vetëm lexohet aktakuza dhe të akuzuarit pyeten se a e pranojnë fajësinë për veprën penale sipas aktakuzës apo jo.

Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Dardan Gashit, Sami Lushtakut dhe Endrit Shalës, për posedim të paautorizuar të armëve, pasi që të njëjtit ishin parë në një video duke festuar në odën e Fatmir Limajt.

Më pas, kësaj aktakuze iu shtuan edhe Behar Amerllahu, Fadil Demiri dhe Sherif Kastrati.

Të pandehurit në festën e Limajt, pas lirimit nga akuzat e Prokurorisë për krim të organizuar dhe keqpërdorim detyre, janë parë duke gjuajtur me armë nga dritaret e odës.