Ilustrim

‘Kredi deri n‘fyt’, kosovarët me 2.8 miliardë euro borxh nëpër banka

Qytetarët e Kosovës në muajin mars kanë pasur 2,8 miliardë euro kredi aktive nëpër bankat komerciale të Kosovës.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, 1 miliardë euro janë dhënë kredi për ekonomitë familjare. Ndërmarrjet janë kreditur më shumë nga ana e bankave, pasi vlera e kredive aktive është 1.8 miliardë euro.

Rritja vjetore e kredive sipas BQK-së është 11.4%. Rritja vjetore e kredive është më e madhe për ndërmarrje se për ekonomitë familjare. Rritja vjetore për ekonomitë familjare është vlerësuar 10.7% kurse për ndërmarrjet 12%.

Ndërsa shuma e kredive që janë dhënë në valutën jo euro është 4 milionë.

Duke u bazuar në të dhënat e BQK-së, norma e interesit në kredi është 6.7%. Dallimi mes normës së interesit në kredi për ekonomitë familjare dhe për ndërmarrje është 0.2%.

Norma e interesit për ekonomitë familjare është 6.8%, prej të cilave konsumuese 6.9%  dhe hipotekare 5.8%.

Kurse norma e interesit për ndërmarrje është 6.6%, prej të cilave bujqësore 7.3%, industriale 6.7% dhe shërbyese 6.6%.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, në territorin e Kosovës janë gjithsej 10 banka komerciale.

Prej gjithsej 10 bankave komerciale, 8 janë në pronësi të huaj.

Këto 10 banka komerciale kanë të shtrira 218 njësi në të gjithë Kosovën.

Kurse numri i personave të punësuar nëpër bankat komerciale është 3276.

Këto të dhëna janë të publikuara nga Banka Qendrore e Kosovës në informatat mujore financiare. Raporti është për muajin mars të vitit 2019.