Jakup Krasniqi

Krasniqi: Nuk Kemi Dërguar Komunikatën që Merr Përgjegjësi për Vrasjen e Civilëve

Jakup Krasniqi po dëshmon në gjykimin e bashkëpartiakut të tij, Fatmir Limaj që po akuzohet për krime lufte.

Krasniqi në dëshminë  e tij u pyet lidhur me një komunikatë e dërguar në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që sipas Prokurorisë  merrte përgjegjësinë për vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit në Malishevë.

Krasniqi i cili kishte shërbyer si zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së tha se ky shtab nuk  kishte dërguar komunikatën në fjalë.

“Shtabi i përgjithshëm nuk ka shkruar shkresë me emrin kumtesë e aq më pak në emër të drejtorive, e sidomos në emër të drejtirisë së policisë e cila nuk ka ekzistuar”, tha Krasniqi.

Gjatë dëshmisë Krasniqi u pyet se a kishte dëgjuar për vrasjen e Selman Binishit dhe Ramiz Hoxhës.

“Ne luftën e kemi organizuar kundër ushtrisë së Serbisë, e jo ndaj civilëve qofshin serbë apo shqiptarë, ne nuk jemi marrë me njerëz të pafajshëm”, u përgjigj Krasniqi.

Në kumtesë përmendet edhe arrestimi i Jakup Kastratit dhe Cen Deskut, ndërsa Krasniqi u pyet se a kishte njohuri për arrestimin e tyre

Po, për këtë kam dëgjuar, kemi qenë në një takim në një shtëpi në Dragobil, ka qenë edhe ambasadori i USA në Maqedoni Kris Hill, i cili e ka ngritur këtë çështje dhe unë i kam thënë që do të lirohen dhe ata janë liruar, kjo ka qenë gjatë muajit nëntor”, tha Krasniqi.

Zyrtari i lartë i Nismës nuk foli në lidhje me bazën mbi të cilën ishin arrestuar Jakup Kastrati e Cen Desku, duke thënë se arrestimet nuk ishin përgjegjësi e tij.

Por Krasniqi më tutrje deklaroi se këta dy persona ishin në LDK.

“Unë nuk besoj që janë marrë si kolaboracionistë pasi Cen Deskun unë e kam njohur mirë personalisht, në atë periudhë ka qenë koha e armëpushimit, ata kanë qenë në LDK, e kanë pasur një politikë tjetër e ndoshta është konsideruar si pengesë për UÇK-në, por nuk janë marrë si kolaboracionistë, sepse ne nuk e kemi pasur këtë informacion”, tha Krasniqi.

Ai tha se nuk kishte njohuri që ekzistonte burgu hetues numër 3.

“Unë nuk i kam këto njohuri, unë nuk e di cili burg cilin numër e ka pasë, për këtë duhet t’i pyesni ata që e kanë shkruar kumtesën.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 28 tetor të vitit 2016 ngriti aktakuzë ndaj Limajt lidhur me vrasjen e dy civilëve shqiptarë gjatë luftës.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, më 2 tetor 1998.

Më 15 janar në të njëjtin gjykim kishte dëshmuar edhe Rexhep Selimi , i cili po ashtu kontestoi komunikatën në fjalë.

http://kallxo.com/rexhep-selimi-konteston-komunikaten-qe-merrte-pergjegjesine-per-vrasjen-e-civileve/