Memli Krasniqi - Foto: KALLXO.com

Krasniqi: Me seancën për Raportin e Progresit diskriminohen deputetët që s’dinë anglisht

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, kritikoi mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme gjatë të cilës do të diskutohet në lidhje me Raportin e Progresit.

Sipas Krasniqit, ka deputetë që nuk dinë anglisht dhe se Raporti nuk është i përkthyer.

“Nesër do të ketë seancë të jashtëzakonshme. Pati shumë diskutime ku kërkuam që të shtyhet për disa ditë sepse kjo pikë nuk ka material. Ky Raport është dorëzuar vetëm në gjuhën angleze dhe konsideruam që është diskriminim për deputetë që nuk dinë gjuhë angleze. Administrata ka thënë që deri më datën 25 nuk përkthehet”, tha Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ku u vendos që nesër nga ora 10:00 të mbahet seancë e jashtëzakonshme lidhur me gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Europian.

“Unë e konsideroj ironike faktin se në Raportin e Progresit fjalia e fundit thotë se duhet të hiqen seancat emergjente. Numri më i madh i deputetëve nuk do të kenë mundësi ta lexojnë atë që është objekt i diskutimeve”, shtoi ai.

http://kallxo.com/neser-seance-e-jashtezakonshme-per-raportin-e-progresit/

Lidhur me kërkesën për shkarkimin e Aida Dërgutit, Memli Krasniqi tha se kjo pikë është shumë poshtë dhe nuk e kanë ndërmend ta luajnë rolin e arbitrit.

“Ata është mirë të merren vesh ndërmjet vete sepse ne PDK nuk do ta luajmë rolin e arbitrit prandaj si pikë është shumë e parëndësishme dhe shumë poshtë, sepse kemi shumë pika para nesh”, theksoi ai.

KALLXO.com transmetoi LIVE konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit: