Notre-Dame - Foto: RTK

Krasniqi: Është hipokrizi ndarja e fondeve për Notre Dame

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi ka reaguar pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës, se do të ndajë para për restaurimin e katedrales Notre Dame, në Paris.

Deputeti Krasniqi, përmes një statusi në Facebook, ka numëruar disa nga monumentet të cilat presin fonde për t`u restauruar si dhe ka përmendur disa nga problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e Kosovës.

“Qeveria paska nda fonde për rindërtimin e Notre Dame në Francë. Ndërkohë që në Kosovë: Kulla e Jasharajve rrezikon të shembet, objektet e vjetra me vlera kulturore në Kosovë po shkatërrohen, bjeshkët e pyjet po digjen e prihen ilegalisht çdo ditë, pacientët në spitale duhet t’i blejnë vetë barnat esenciale (madje edhe dorëzat e shiringat), varfëria e papunësia në Kosovë tejkalon çdo vend të Evropë”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas tij tendenca të tilla për solidarizim me shtete më të zhvilluara janë hipokrizi duke e marrë parasysh situatën në vend.

“E di që djegia e Notre Dame i ka prekur shumë njerëz, përfshirë edhe mua. Por çdo tendencë për solidaritet me të tjerët që janë shumë përpara teje me zhvillim, ndërkohë që vendin tënd e ke lënë buzë rrënimit, është hipokrizi dhe keq menaxhim i buxhetit shtetëror”, ka thënë tutje ai.

Mundësinë për ndarjen e mjeteve për të restauruar katedralen, e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Ajo tha se në mbledhjen e Qeverisë e cila do të mbahet nesër do të shqyrtohet si mundësi në momentin e parë, ku edhe do të kuptohet vlera e mjeteve.

Katedralja Notre Dame në Paris u përfshi nga zjarri më 15 prill, dyshohet se zjarri ishte shkaktuar aksidentalisht.