Memli Krasniqi | Foto: KALLXO.com

Krasniqi: Bojkoti sjell bojkot

Memli Krasniqi, deputet nga PDK ka deklaruar sot se opozita e ka kuptuar se bojkoti nuk mund të sjellë asgjë pozitivë.

“Në emër të PDK po shpresoj që opozita e ka kuptuar që bojkoti nuk sjellë kurrgjë pozitive. Është për keqardhje, pra bojkoti rëndom sjellë bojkot. Ne i kemi humbur pothuajse ditën e tretë me dy seanca konkurruese e që asnjëra s`ka filluar të mbahet”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, dy ditët e humbura ka mundur të krijohet një ekip dhe platformë për bisedimet e Brukselit.

“Sikur të punonim bashkërisht, ne në këto dy dite jo që e kishim kriju një ekip, por edhe një platformë për dialogun e Brukselit. Të gjithë janë të vetëdijshëm që dialogu gjatë këtij muaji do të hyjnë në fazën finale. Ne kemi mundësi që sikur në të kaluarën mund të gjejmë pikat tona të përbashkëta, që mendoj se janë shumë. Ne e bojkotuam seancën, sepse opozita e bojkotoi seancën e kryeministrit”, ka deklaruar Memli Krasniqi nga PDK.

Ndryshe edhe sot për mungesë kuorumi ka dështuar të mbahet seanca e thirrur nga opozita.