KQZ tregon për pjesëmarrje të shtuar të qytetarëve në zgjedhjet e sotme në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për pjesëmarrjen e qytetarëve në votime në katër komunat veriore deri në orën 11:00.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se procesi i votimit në 44 qendrat e votimit në katër komunat veriore është duke vijuar pa ndonjë problem.

Sipas Dakës, deri në orën 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 9 mijë 361 qytetarë me të drejtë vote nga 57 mijë e 983 sa është numri i përgjithshëm i tyre në këto katër komuna.

“Në zgjedhjet e vitit 2017 deri në të njejtën kohe kishin votuar 8 mijë e 483 votues apo 14.88 %”, tha ajo në një konferencë për media.

Ajo po ashtu ka treguar edhe numrin e votuesve nëpër komuna.

“Në komunën e Leposaviqit kanë votuar 3262 votues. Në Zubin Potok 1174, në Zveçan 1488 dhe në Mitrovicë të Veriut 3437 votues”, tha Daka.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme po mbahen në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, pas dorëheqjes së kryetarëve, shkaku i taksës prej 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia.