Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

KQZ s’paguan furnizimin përtej kontratës, kompanitë u drejtohen përmbaruesve privatë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është furnizuar me material zgjedhor përtej vlerës së paraparë me kontratë dhe nuk e ka realizuar pagesën, duke i shtyrë kompanitë t’i drejtohen përmbaruesit privat.

Paqartësia lidhur me këtë furnizim ishte arsyeja e mbetjes borxh kompanive.

Të pranishëm në mbledhjen Komisionit për Buxhet dhe Financa ku po shqyrtohej Raporti vjetor financiar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për vitin 2017 ishin edhe përfaqësues nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), të cilët përmendën arsyen e theksimit të çështjes në opinionin e pamodifikuar drejtuar KQZ-së.

Furnizimi me material zgjedhor përtej vlerës së kontraktuar, pranimi i këtyre mallrave dhe mospagesa e tyre shtyri kompanitë t’i drejtohen përmbaruesit privat.

“Arsyeja e theksimit të çështjes ishte për faktin se furnizimet për material zgjedhor në vlerë prej 113 mijë e 175 euro, ishin përtej vlerës dhe sasive të kontraktuara. Në procesin e zgjedhjeve lokale KQZ kishte porositur dhe pranuar material për zgjedhje më tepër se sasia e kontraktuar. Materiali ishte pranuar mirëpo pagesa ishte refuzuar nga zyra e financave me arsyetimin se këto porosi kanë tejkaluar sasinë e kontraktuar. Si pasojë, operatorët ekonomikë të cilët kanë kryer furnizimet kanë procesuar lëndët te përmbaruesit privatë me qëllim të inkasimit të mjeteve”, thonë përfaqësuesit nga ZKA.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, thotë se mjetet për pagesë i kanë pasur por nuk e kanë pasur të qartë se çka ka ndodhur lidhur me këtë furnizim dhe nuk e kanë paguar.

“Sa i takon tejkalimeve, është evidente që ka pasë tejkalime në disa kontrata, në kuptim të furnizimit me të cilat ne furnizohemi me material zgjedhor që disa prej tyre hynë në grupin material sensitive zgjedhor, i cili transportohet në masa adekuate të sigurisë. Është e vërtetë që ka ndodhë, është bërë kontrata jo konform nevojave tona adekuate dhe është çështje e menaxhimit të kontratës dhe menaxhimit dypalësh të kontratës edhe nga operatori edhe nga zyrtarët tanë dhe ne nuk kemi dashtë kurrgjë me i lënë rastit në kuptim të asaj sepse kemi pasë mjete të paguajmë që ta qartësojmë situatën. Më mirë kemi thënë që të ngelim borxh për të cilën ende nuk e kemi pasqyrën e qartë se çka ka ndodhë”, tha Halimi.