Foto: OSBE

KQZ kërkon OSBE-në për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e sotme vendosi që të kërkojë prezencën e Misionit të OSBE-së në Kosovë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan që janë thirrur të mbahen më 19 maj.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, kërkoi që OSBE-ja të jetë e përfshirë në këtë proces zgjedhor si trup këshillëdhënëse për çështje teknike.

Sipas saj, OSBE nuk do të ketë rol ekzekutiv apo funksional në raport të organizimit të zgjedhjeve.

“Meqenëse këtë herë zgjedhjet janë shpallë vetëm në katër komuna ku tradicionalisht kemi pasur përfshirjen e OSBE-së vetëm sa i përket këshillave teknike në ditën e zgjedhjeve, konsideroj se meqenëse kemi zgjedhje të parakohshme dhe për shkak të kohës, konsideroj që ende kemi nevojë që të përfshihen OSBE-ja për KKZ dhe KVV-të sepse mendoj se nuk na bën ndonjë dëm dhe është në funksion të transparencës nëpër komuna”, deklaroi Daka.

Foto: Kallxo.com

Anëtarët e KQZ-së miratuan këtë rekomandim të propozuar që t’i dërgohet një letër OSBE-së me kërkesën që të jenë pjesë e këtyre zgjedhjeve.

Anëtari i KQZ-së, Adnan Rrustemi sqaroi se këshilli tashmë ka shqyrtuar shtypjen e fletëvotimeve dhe siç tha ai, specifikat e fletëvotimeve nuk dallojnë nga shembujt e deritanishëm.

“Përmban elemente të sigurisë si në proceset e tjera zgjedhore, kështu që i rekomandojmë KQZ-së ta miratojë këtë përmbajtje të sigurisë dhe sasisë së shpërndarjes”, deklaroi Rrustemi.

KQZ votoi për shtyrjen e propozimeve dhe miratimeve për anëtarët e KKZ-ve për mbledhjen e ardhshme për shkak të vonesës në verifikimin e dokumenteve.