Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

KQZ-ja emëroi anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve në komunat veriore

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur  mbledhjen e radhës, në të cilën janë emëruar anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.

Në këtë mbledhje kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka bërë  të ditur se i është dërguar shkresa zyrtare Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë lidhur me angazhimin e këtij misioni në rolin këshillues në këto zgjedhje.  Gjithashtu, Daka njoftoi se kjo letër është e formatit të njëjtë me atë të zgjedhjeve të vitit 2017.

Në mbledhjen e ditës së hënë, anëtarët e KQZ-së u dakorduan që Misioni i OSBE-së në Kosovë të ketë rol vetëm në këshilla teknike për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve si dhe vetëm në ditën e zgjedhjeve për Këshillat e Vendvotimeve.

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mirëpritur kërkesën e Komisionit Qendror Zgjedhor për të ndihmuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në katër komunat me shumicë serbe. Në një përgjigje për KALLXO.com, zëdhënësja e këtij misioni, Edita Bucaj, ka thënë se janë duke pritur një ftesë zyrtare të cilës do t’i përgjigjen pozitivisht.