KQZ - 24.04.2019

KQZ i pagoi anëtarët pa mandat, shpenzoi mbi 110 mijë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpenzuar 113 mijë euro nga buxheti i saj për të të kryer pagesa të parregullta për pagat e anëtarëve të KQZ-së.

Anëtarëve të KQZ-së u kishte kaluar mandati në prill të vitit 2018, mirëpo ata kanë vazhduar të paguhen deri në fund të vitit.

Kjo i ka kushtuar buxhetit të KQZ-së plotë 113 mijë e 199 euro.

Zyra Kombëtare e Auditimit i ka vlerësuar këto pagesa si të parregullta.

Përveç që kanë marrë paga, Auditori ka gjetur se anëtarët edhe i kanë shfrytëzuar të gjitha benificionet e tjera.

“KQZ-ja nga 27.03.2018 nuk ka qenë funksionale pasi anëtarëve të saj u ka përfunduar mandati. Mirëpo, përkundër kësaj KQZ ka vazhduar që t’u paguaj pagat e anëtarëve prej prillit deri në fund të vitit 2018. Vlera e këtyre pagesave të parregullta ishte 113,199€, po ashtu krahas kësaj anëtarët e KQZ-së kishin shfrytëzuar të gjitha benificionet”, thuhet në raport të auditorit.

Anëtarët e KQZ-së janë emëruar nga Presidenti Thaçi, pas gati 1 viti prej përfundimit të mandatit.

Madje kishte pasur një diskutim të gjatë se cilave parti u takojnë vendet në KQZ.

Në fund, ishte vendosur që në listën e tetë anëtarëve ishin emëruar dy përfaqësues të LDK-së dhe VV-së, edhe pse presidenti në fillim kishte pasur dilema.

Tetë anëtarët e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë Sami Hamiti, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Nazlie Bala, Alfred Kinolli, Ćemailj Kurtiši, Ercan Şpat dhe Stevan Veselinoviq”, thuhet në Komunikatë.

https://kallxo.com/pas-nje-viti-vonese-presidenti-dekreton-anetaret-e-kqz-se/

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të auditimit për KQZ-në.