Mbledhja e KQZ-së - Foto: KALLXO.com

KQZ cakton afatet për aktivitetet zgjedhore për zgjedhjet në komunat e veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e parë  pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, të cilat do të mbahen më 19 maj 2019.

Në këtë mbledhje u mor vendim për caktimin e afateve për aktivitetet zgjedhore.

Vadete Daka kryetare e KQZ-së tha se këto janë zgjedhje të parakohshme.

“Siç e dini sot presidenti me dekret ka shpallur zgjedhje për katër komunat veriore, dhe këto zgjedhje do të mbahen më 19 maj të këtij viti. Këto zgjedhje janë të parakohshme”, tha ajo.

Ajo po ashtu tha që afatet zgjedhore duhet të shkurtohen.

“Aktivitetet duhet të shkurtohen sepse i referohen zgjedhjeve të parakohshme. Zgjedhjet janë shpallur sot dhe nuk kemi qenë në dijeni që do të shpallen sot”, tha ajo.

Sipas vendimit, i cili u votua nga anëtarët e KQZ-së, afatet zgjedhore do të jenë si në vijim: Afatet për tubime zgjedhore do të  fillojnë më 13 maj dhe do të përfundojnë më 17 maj.

Afati i aplikimeve të subjekteve politike do të fillojë më 8 prill dhe do të përfundojë më 19 prill.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po ashtu mori vendim për zgjatjen e orarit të punës për anëtarët dhe Sekretariatin e KQZ-së. Orari do të fillojë nga ora 8:00 e do të zgjasë deri në orën 18:00.

Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, kërkoi që të trajtohet edhe çështja e përfundimit të kontratës për kryeshefin ekzekutiv.

“Përfundimi i kontratës për kryeshefin ekzekutiv të Sekretariatit, jemi në dijeni por besoj që në mbledhjen e radhës do ta kemi si rend dite këtë çështje”, tha ai.

Ky është vendimi i plotë i KQZ-së lidhur me afatet zgjedhore për zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës.

VENDIM

Për caktimin e afateve të aktiviteteve zgjedhore sipas Rregullës Zgjedhore nr.15/2013 për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunat  Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – 19 Maj 2019.

Miratohet vendimi për caktimin e afateve të aktiviteve zgjedhore për Zgjedhjet e Jashtëzakonëshme në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, të cilat do të mbahen me datë 19 maj 2019.

Afatet kohore për zbatimin e të gjitha aktiviteteve zgjedhore që ndërlidhen me zgjedhjet e jashtëzakonshme, i referohen afatit prej 40 (katërdhjetë) ditë, si në vijim:

a) Afati për krijimin e Listës së Votuesve, periudha e kundërshtimit dhe konfirmimit do të filloj me datë 3 maj dhe do të përfundoj më datë 9 maj 2019;

b) Aplikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve do të filloj me datë 9 prill dhe do të përfundoj me datë 18 prill 2019;

c) Certifikimit dhe publikimi i subjekteve politike dhe kandidatëve do të bëhet me datë 22 prill 2019;

d) Afati i fundit për tërheqje të kandidatëve nga shorti i fletëvotimit dhe afati i zëvendësimin e kandidatëve është data 26 prill 2019;

e) Afati për hedhjen e shortit të fletëvotimit, do të mbahet me datë 28 prill 2019;

f) Afati i fundit për të caktuar kufizimin e shpenzimeve për fushatë është data 12 prill 2019;

g) Fushata zgjedhore si dhe afatet për tubimet zgjedhore do të fillojnë me datë 13 maj dhe do të përfundojnë me datë 17 maj 2019;

h) Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhgueseve do të fillojë me datë 9 prill 2019 dhe do të përfundoj me datë 12 maj 2019;

i) Emërimet e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ) do të bëhet me datë 15 prill 2019;

j) Periudha e shërbimit të votuesve do të fillojë me datë 23 prill dhe do të përfundoj me datë 29 prill 2019;

k) Certifikimi i listës se votuesve do të bëhet me datë 13 maj 2019;

l) Emërimet e Këshillave të Vendvotimeve do të fillojnë me datë 2 maj dhe do të përfundoj me datë 4 maj 2019;

m) Publikimi i Qendrave të Votimit do të bëhet me datë 9 maj 2019;

n) Aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës do të filloj me datë 25 prill dhe do të përfundoj me datë 30 prill 2019;

o) Aplikimi për regjistrim si votues me nevoja të veçanta do të filloj me datë 9 maj dhe do të përfundoj me datë 13 maj 2019;

III. Caktimi i afateve sipas nenit I të këtij vendimi, do të vlejë për zgjedhjet e jashtëzakonëshme në Komunat  Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut;

IV. Ky vendim, hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.