Kqirajt Ankohen se Shteti s`po ua Ruan Pronën

Ankesa për mënyrën se si shteti po e menaxhon pasurinë e konfiskuar nga familja e akuzuar për fajde janë paraqitur në gjyqin ndaj Kqirajve dhe të tjerëve.

Në nisje të procesit ekspert Vehbi Imeri e Avokati Visar Haxhibeqiri nuk janë pajtuar rreth vlerës së shtëpisë së Benson Buzës.

Në vlerësimin e tij eksperti Imeri kishte ardhur në përfundimin se prona ku është e ndërtuar vila e të akuzuarit Benson Buza, kap vlerën prej 369 mijë euro.

Prej këtyre parave sipas ekspertit,  77 mijë euro janë të holla me prejardhje nga biznesi për Benson Buzën, ndërsa 299 mijë euro tha se janë të hyra pa prejardhje.

Ky vlerësim i ekspertit është kundërshtuar nga avokati i buzës Visar Haxhibeqiri, i cili pretendoi se vlera është llogaritur me vlerë më të lartë sesa ajo reale.

Pjesë tjetër e vlerësimit ishte edhe lokali “Kristal Club”, pronë e të akuzuarit Kastriot Kqira.  Eksperti financiar tha se nga të dhënat e siguruara që nga hapja e këtij lokali ka të hyra në vlerë prej 65 mijë e 832 euro, ndërsa vlera e lokalit tha se arrin shifrën prej 298 mijë e 900 euro.

Në fjalën e tij i  akuzuari Gjon Kqira, u ankua para trupit gjykues se  pasuria e tij e sekuestruar nuk po mirëmbahet siç duhet.

Kqira sqaroi  se nga punonjësit e tij ishte njoftuar se në lokalin e tij “Paradiso”, e cila është pasuri e ngrirë që 18 muaj, kanë filluar plasaritjet e gypave dhe është duke u bërë dëm.

Kqira, tha se në atë lokal nuk janë hapur fare as dyer e as dritare. Mirëpo, nga trupi gjykues u njoftua se eksperti nuk është i thirrur për vlerësimin e asaj pjese.

Në fund të procesit, Prokurorja Speciale, i propozoi gjykatës që ekspertët e njëjtë të cilët kishin bërë këtë ekspertizë financiare të bëjnë edhe vlerësimin e bodrumeve të objekteve, nën kulmeve, interierit të brendshëm dhe pjesëve tjera të cilave nuk i është bërë vlerësimi.

Prokurorja, kërkoi që në ekspertizë të vlerësohet se sa ka qenë vlera e pronave kur ato janë blerë dhe sa janë bërë tani investimet.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde. Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm jo proporcionale, ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre.

Të akuzuar në këtë rast janë: Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj, Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Hil Kaçinari, Sejdë Kaqorraj dhe Zef Oroshi.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seanca e kaluar e këtij procesi.