KOSTT: Propozimi i ENTSO-E që Ujmani të furnizojë me energji komunat e Veriut nuk ka kaluar

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) thotë se propozimi i ENTSO-E që Liqeni i Ujmanit të furnizojë me energji elektrike komunat e Veriut nuk ka kaluar.

Sipas komunikatës së KOSTT, më 25 tetor 2018 ENTSO-E (Grupi Regjional i Europës Kontinentale, ang. RGCE) ka përpiluar një propozim për zgjidhje të përkohshme teknike me qëllim të ndërprerjes së devijimeve të paqëllimshme. Në këtë kontekst, ENTSO-E ka propozuar që KOSTT de fakto të njihet si zonë/bllok rregullues i pavarur në hierarkinë operative të Europës Kontinentale, por që prodhimi i energjisë elektrike nga HC Ujmani të shfrytëzohet për furnizimin e veriut të Kosovës.

“KOSTT ka konsideruar se implementimi i propozimit të ENTSO-E do të ishte ndërhyrje në operimin normal të sistemit elektroenergjetik të Kosovës nga ana e Serbisë, dhe do të cenonte operimin e aseteve shtetërore sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar kontrollin e prodhimit të HC Ujmani nga ana e Serbisë”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se ky propozim është refuzuar nga KOSTT me datë 26 tetor 2018 për shkak të përfshirjes së HC Ujmani në propozim, por siç thuhet edhe nga EMS për shkak të njohjes de fakto të KOSTT-it si zonë/bllok rregullues nga ana e ENTSO-E.

“Ky propozim teknik i përkohshëm nga ENTSO-E është hedhur në votim nga kryesuesi i RGCE te të gjitha OST-t e Europës Kontinentale. Propozimi i ENTSO-E nuk ka marrë votat e nevojshme për miratim. Sipas informatave të KOSTT propozimi ka marrë 65% të votave nga 72% të nevojshme për miratim”.

“Edhe një herë i bëjmë me dije opinionit publik që Serbia dhe operatori serb EMS vazhdojnë obstruksionet ndaj KOSTT dhe Kosovës në lidhje me implementimin e Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT-ENTSO-E, si dhe marrëveshjeve tjera ndërmjet KOSTT dhe EMS. Me ketë EMS vazhdon të përfitoj në mënyrë të kundërligjshme nga alokimi i kapaciteteve interkonektive të KOSTT dhe njëkohësisht pamundëson operimin e linjës 400kV Kosovë-Shqipëri”.

KOSTT thotë se mosimplementimi i Marrëveshjes së Kyçjes KOSTT-ENTSO-E pengon zhvillimin e sektorit të energjisë në Kosovë dhe implementimin e masave të vendosura nga iniciativa WB6 (Procesi i Berlinit) si dhe shkakton dëme financiare në vlerë prej rreth 20 milion euro në vit.

“I bëjmë apel të gjitha institucioneve vendimmarrëse ndërkombëtare që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Kyçjes nga pala serbe”, thekson KOSTT.