Foto: KOSTT

KOSTT gjobitet me 25 mijë euro

Paneli Shqyrtues i Prokurimit ka shqiptuar gjobë prej 25 mijë euro ndaj kompanisë publike “KOSST”, për shkak të mos zbatimit të urdhëresës së tyre lidhur me aktivitetin e prokurimit “Sigurimi fizik i objekteve te KOSTT”. Kompania e Sigurimit “Delta Security” ishte ankuar për këtë procedurë të prokurimit, e cila ishte miratuar nga Paneli i OSHP-së.

Me këtë vendim, kompania publike “KOSTT” obligohet që gjobën ta paguaj në afat prej 15 ditës duke deponuar para në xhirollogarinë e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Po ashtu Paneli Shqyrtues i Prokurimit, në këtë vendim ka bërë të ditur se do të kërkoj nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit , që t’i anulohet licenca e prokurimit menaxherit të prokurimit të autoritetit kontraktues KOSST.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) është kompani publike me 100 % të aksioneve të qeverisë së Kosovës.

“Paneli shqyrtues sqaron se me urdhëresën e autoriteti kontraktues /KOST/, është urdhëruar që bëjë respektimin e vendimit për aktivitet të prokurimit “Sigurimi fizik i objekteve të KOST” dhe i njëjti vendim edhe sot e kësaj dite nuk është respektuar. Autoriteti kontraktues ka tejkaluar edhe afatin për respektimin e vendimeve paraprake të panelit shqyrtues dhe afatin e dhënies së urdhëresës”, thuhet në vendimin e Panelit Shqyrtues të Prokurimit.

Institucioni më i lartë i Prokurimit ka vlerësuar se KOSTT e ka eliminuar Operatorin Ekonomik ankues me arsyetim se oferta e tij ka tejkaluar buxhetin e parashikuar dhe kështu ka përcaktuar kritere të cilat tejkalojnë mundësitë e OE pjesëmarrës për të ofruar një çmim të përgjegjshëm në kuadër të buxhetit të planifikuar.

“Paneli shqyrtues konstaton se duke marrë për baze pretendimet ankimore që lidhen me këtë ankesë dhe mënyrën se si është udhëhequr ky aktivitet i prokurimit (kërkesat e dosjes ) dihet që Autoriteti Kontraktues në njërën anë ka kërkuar pagë neto minimale prej 230 euro për secilin punëtor dhe në anën tjetër ka kërkuar që të  respektohet Ligji i Punës gjë që janë kundërthënëse”, thuhet në vendimin e Panelit Shqyrtues të Prokurimit.

Paneli shqyrtues me këtë vendim ka konstatuar se mos respektimi i Urdhëresës për zbatimin e vendimit nga ana e KOSTT e detyron panelin shqyrtues që komfor dispozitave ligjore të veproj ndaj autoritetit kontraktues, për shkak se janë bërë shkelje të rënda esenciale të LPP-së, duke mos u zbatuar Urdhëresat e Panelit Shqyrtues.