Kostoja 'sekrete' e dy kyçjeve të reja në Autostradën 'Arbën Xhaferi'

Në fund të muajit maj, në një organizim solemn, Qeveria e Kosovës përuroi Autostradën “Arbën Xhaferi” që i kushtoi buxhetit të shtetit mbi 700 milionë euro.

Por, një ditë para se të përurohej “Arbën Xhaferi”, që lidhë Kosovën me Maqedoninë Veriore, një vendim të ri për investime shtesë e mori Qeveria e kryesuar nga Ramush Haradinaj.

Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj në mbledhjen e 28 majit kërkoi nga kabineti qeveritar që të përkrahet projekti për dy kyçje të reja në Autostradën me urën më të gjatë në rajon.

“Pas përfundimit të projektit të autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, janë edhe kërkesat e dy komunave të Ferizajt dhe Vitisë për kyçje në autostradë. Kërkoj nga Qeveria të merr vendimin për ndryshimin e dy kyçjeve të reja si dhe të mbikalimit në Betelincë me negocim me Bechtel Enka-n. Mjetet do të sigurohen nga Qeveria e Kosovës, Ministria e Financave”, tha Lekaj në mbledhjen e ekzekutivit kosovar.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria që udhëhiqet nga ministri i AAK-së, Pal Lekaj ka thënë se ende nuk e dinë çmimin e kyçjeve të reja.

“Vendimi nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për kyçjet në Ferizaj e Viti dhe mbikalimin e Paldenicës së Hanit të Elezit, është marrë gjatë kësaj jave. Rrjedhimisht është ende herët të flitet për çmim konkret se sa do të kushtojnë këto tri projekte, meqë duhet të bëhen paramasat dhe parallogaritjet e projektit”, është deklaruar zëdhënsia e kësaj ministrie, Fillojetë Konjuhi.

Kyçjet e reja në Autostradën “Arbën Xhaferi”, Ministria i ka arsyetuar me kërkesat e banorëve të komunave përkatëse dhe disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Kyçja e Gërlicës së Vitisë, ajo në hyrje të Ferizajt dhe ndërtimi i mbikalimit të Paldenicës së Hanit të Elezit, janë kërkesa të kamotshme, të parashtruara nga banorët dhe drejtuesit e komunave në fjalë si dhe një grupi të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga legjislatura e kaluar, të miratuara edhe nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror për Zhvillimin e Projektit të Autostradës R6”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë.

Autoudhën “Arbën Xhaferi” në vitin 2014 e filloi ministri Fehmi Mujota i PDK-së, i cili nënshkroi kontratën me “Bechtel & Enka”, e vazhdoi ministri i LDK-së, Lutfi Zharku e përfundoi ministri nga AAK, Pal Lekaj.

Autostrada e re është e gjatë 65 kilometra, ndërsa ajo ka edhe urën më të gjatë ne rajon si veçanti me 5 mijë e 700 metra dhe lartësi prej 83 metra.

Një historik mbi autostradën “Arbën Xhaferi” mund ta lexoni KËTU.

 

Transaksionet dhe burimi i gjobës prej 53 milionë euro për Autostradën (Dokument)

.