Kossnet: Barazi për personat pavarësisht identitetit gjinor

Në Kosovë sot po shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë.

Me këtë rast, në Prishtinë është mbajtur konferenca  “Të drejtat e barabarta dhe kushtetuese për personat LGBTI”.

Në këtë konferencë mori pjesë edhe Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnnett, i cili shprehi mbështetje për komunitetin LGBTI në Kosovë.

“Bashkojmë zërin tonë për thirrje dhe dinjitet, për barazi për të gjithë personat, pa marrë parasysh identitetin e tyre gjinor. Në mbarë botën njerëzit që i përkasin komunitetit LGBTI parandalohen për t’i ushtruar të drejtat e tyre njerëzore. Edhe  në Kosovë përkundër  Kushtetutës, komuniteti ende lufton për një pranim më të gjerë në shoqëri”, ka thënë Ambasadori Kosnett.

Në anën tjetër, zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri tha se nevojitet kohë për pranim të plotë në shoqëri të pjesëtarëve të komunitetit LGBTI në Kosovë.

“Nevojitet kohë, vetëm Parada e Krenarisë nuk mjafton, duhet bërë edhe në shumë. Zyra e BE-së është duke punuar shumë për përkrahje. BE dhe Zyra e BE-së është jashtëzakonisht e angazhUar për të përmirësuar gjërat. Nëse dikush dëshiron të ndryshojë emrin në mënyrë zyrtare dhe të pranohet nga familja, kjo rregullohet me ligje. Theksoj mbështetjen tonë për të drejtat e komunitetit LGBTI në Kosovë”, tha ai.

Zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri – Foto: KALLXO.com

Ndërkaq, Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems tha se e luftojnë çdo diskriminim të  identitetit gjinor ose përcaktimit seksual.

“Ne do të kontribuojmë edhe më shumë për zhvillim të qëndrueshëm për parimet e të drejtave të njeriut. Fokusi ynë kryesor është që të kemi lloje të organizatave shumë të thukta që avokojnë të drejtat e njeriut në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ende kemi shumë punë për të bërë në këtë aspekt dhe të shohim rezultatet konkrete në terren”, tha ambasadorja.