Kosovari në Krye të Studentëve Evropianë

Gramoz Shpendi nga Prizreni është zgjedhur në Komitetin Ekzekutiv të Unionit të Studentëve Evropianë.

Shpendi ishte pjesë e projektit “Atomi” për persona me inteligjencë të lartë, ndërsa studion dhe jeton në Finlandë.

Lajmin për zgjedhjen e Shpendit në Komitetin Ekzekutiv të Unionit të Studentëve Evropianë prej 10 anëtarësh, e bëri të ditur me anë të një komunikate Instituti “Atomi”.

Sipas “Atomit”, Unioni i Studentëve Evropianë është organizata studentore më e madhe dhe më me peshë në Evropë në fushën e arsimit të lartë, si organizatë ombrellë e Unioneve Nacionale të Studentëve të 38 vendeve të ndryshme evropiane, ku Kosova ende nuk është anëtarësuar.

“Gramoz Shpendi është përzgjedhur nga ‘Atomi’ në vitin 2012 dhe sukseset e arritjet e tij janë meritë dhe rezultat i potencialit të tij intelektual dhe punës e aktivitetit të tij të palodhshëm. Kjo është edhe një dëshmi se çfarë mund të arrijnë të rinjtë e Kosovës me potencial të jashtëzakonshëm intelektual nëse i kanë mundësitë e duhura për zhvillim e avancim,” thuhet në komunikatën e Institutit ‘Atomi’.

Lajmin për zgjedhjen e tij në Komitetin Ekzekutiv të Unionit të Studentëve Evropianë e komentoi edhe vetë Gramoz Shpendi në Facebook.

Ai ekipin e zgjedhur e quajti të mrekullueshëm.

13 Maj 2016 - 12:58

Kallxo 13/05/2016 - 12:58
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend