Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, Foto: BQK

Kosovarët kredi në banka në vlerë 2.7 miliardë euro

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti ka thënë që me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë BQK ka arritur progres të konsiderueshëm dhe sot rregullativa financiare po arrin të mbështetesë zhvillimin e qëndrueshëm të sistemit financiar të vendit. 

Këto komente Mehmeti i ka bërë në punëtorinë, ‘Ballkani Perëndimor: Reformat rregullatore bankare dhe zbatimi i tyre – sfidat përpara’, e organizuar bashkërisht nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës dhe GIZ-i gjerman. 

“Sidoqoftë, përmes organizimeve të tilla ne do të jemi në gjendje që t’i bashkojmë energjitë dhe përvojat në mënyrë që të jemi sa më efektiv në ndjekjen dhe zbatimin e standardeve më të mira ndërkombëtare.  Për një sistem bankar të ri si Kosova, sigurisht që zbatimi i kërkesave të Basel III, IFRS 9 dhe zbatimi i procedurave të rregullta për likuidimin e bankave (Bank Resolution) ka qenë dhe është mjaft sfidues”, ka deklaruar Mehmeti.

Ai ka potencuar se dinamika me të cilën po zhvillohet rregullativa financiare ndërkombëtare kërkon resurse të konsiderueshme për t’u zbatuar nga bankat qendrore dhe kjo sigurisht se paraqet një sfidë të rëndësishme për bankat qendrore më të vogla, siç janë BQK-ja dhe bankat tjera të rajonit tonë. 

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti theksoi se BQK-ja ashtu edhe si bankat tjera qendrore të rajonit, me kohë ka vendosur si prioritet shumë të rëndësishëm zbatimin e vazhdueshëm të standardeve më të mira ndërkombëtare në fushën e rregullativës financiare.

Ai ka thënë se sektori bankar i Kosovës mbetet një ndër sektorët më të suksesshëm dhe me trend të vazhdueshëm të rritjes.

“Edhe gjatë vitit 2018 sektori bankar vazhdoi të tregoj qëndrueshmëri të komponentëve përbërës të likuiditetit, profitabilitetit dhe kapitalit. Sipas të dhënave të fundit të muajit qershor 2018, vlera e gjithsej mjeteve të sektorit bankar arriti në 3.9 miliardë euro, derisa struktura e mjeteve vazhdoi të financohet kryesisht nga depozitat dhe të jetë e përqendruar në aktivitetin e kredidhënies. Vlera e përgjithshme e kredive të sektorit bankar në qershor 2018 ishte rreth 2.7 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 11.3%”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti është shprehur se treguesi i kredive joperformuese është zvogëluar në 2.8% në fund të muajit qershor nga 3.9% sa ishte në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. 

“Gjithsej depozitat evidentojnë rreth 3.1 miliardë euro, ndërsa gjendja e likuiditetit të sektorit bankar vazhdon të jetë e qëndrueshme. Raporti i mjeteve likuide ndaj detyrimeve me afat të mbetur deri në një vit përllogaritet 33.2%, i cili evidentohet lart mbi kërkesën rregullative prej 25.0%. Sektori bankar vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar. Treguesi i kapitalit të bazuar në rrezik në muajin qershor 2018 ishte 17.4%, që është lart mbi kërkesën rregullative të BQK-së prej 12.0%”, ka thënë Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.

Të pranishmit në punëtori nga vendi dhe nga rajoni, kanë marrë informatat e fundit për kuadrin rregullator ndërkombëtar për bankat që njihet si ‘Bazel 3’ dhe ndryshimeve në të ardhmën e këtij kuadri.

Gjithashtu janë diskutar edhe sfidat e bankave të Ballkanit Perëndimor për të realizuar reformat dhe zbatimin e rregullativave, si dhe Direktivat e BE-së për sektorin bankar.

Në këtë punëtori, e cila do të vazhdojë punimet edhe të premten do të prezantojnë edhe zyrtarë të Bankës Qendrore Evropiane, Fondit Monetar Ndërkomëtar, BAFIN, Deutsche Bundesbank dhe disa bankave të vendeve tjera anëtare të BE-së.