Homazhet në nderim të Adem Demaçit/FOTO KALLXO

Kosovarët i japin lamtumirën e fundit Demaçit

Luzma qytetarësh kaluan përmes Kuvendit të Kosovës për t’i bërë homazhe Adem Demaçit, veprimtarit për të drejtat e njeriut dhe të burgosurit politik që vdiq të enjten.

Me tufa lulesh në dorë dhe duke pritur në rend për t’i dhënë shënimet e fundit, qytetarët u mblodhën në Kuvendin e Kosovës për ta nderuar Adem Demaçin, aktivist dhe i burgosur politik shqiptar që ndërroi jetë të enjten në moshën 82 vjeçare.

Miq, kolegë, politikanë, dhe qytetarë me respekt për të dilnin nga ndërtesa e Kuvendit të përlotur duke mbajtur librat e tij dhe shenja të ndryshme me portretin e tij.

Duke vezulluar në diell, flamujt shtetërorë ngriheshin në gjysmështizë pasi Presidenti Hashim Thaçi lajmëroi tri ditë zie në nder të Demaçit, si dhe varrim me nderimet më të larta shtetërore.

Ndër të pranishmit ishte kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se është kohë pikëllimi për tërë kombin shqiptar.

“Baca Adem është simbol i vetëmohimit, atij nuk ia ndiente për veten, por vetëm për interesin kombëtar”, ka thënë Ahmeti.

“Kur mendojmë se jemi lodhur duke punuar shumë, mendojmë për njerëz si baca Adem që na rikujtojnë se disa njerëz ia kanë kushtuar tërë jetën shtetit”.

Gjatë regjimit jugosllav në Kosovë, Demaçi kaloi 28 vjet prapa grilave në burgje të federatës pasi që promovonte të drejtat dhe vetëvendosjen e shqiptarëve të Kosovës.

Demaçi u burgos për herë të parë në vitin 1958, kurse u lirua nga burgimi i fundit në vitin 1990. Në fillim të viteve të 90-ta, Demaçi ishte kryetar i Këshillit për Mbrojtjen dhe të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, KMDLNj, cili monitoronte dhe raportonte për shkeljet e të drejtave të njeriut në Kosovë gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Sami Kurteshi, deputet i Vetëvendosjes dhe sekretar ekzekutiv i Këshillit mes viteve 1992 dhe 1996, ka thënë se Demaçi ishte vigan i lirisë.

“Ai i lidhi përpjekjet e dy shekujve për të arritur lirinë në Kosovë. Jam rritur me emrin e tij, me idetë që i bartte. Ishim shokë dhe bashkëpunëtorë”, ka thënë ai.

Gjatë jetës së tij, Demaçi shkroi shumë libra; ndër më të njohurit ishte romani “Gjarpinjtë e Gjakut” për gjakmarrjet, libër i cili u ndalua nga regjimi komunist.

Ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës mes viteve 2005 dhe 2007.

Shqipe Hasani, anëtare e kryesisë së Lidhjes, ka thënë se vepra e tij ishte pa damka.

“Ishte njeri fenomenal… vdekja e tij është e rëndë për tërë kombin shqiptar. Ai vdiq me nderin se ishte faqebardhë, duke e ditur situatën dhe rrethanat [në vend]”, ka thënë ajo. Në fund të viteve të 90-ta, Demaçi e udhëhoqi degën politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, dhe u bë zëdhënës i saj gjatë luftës së Kosovës.

Ai u distancua nga ky grup pasi përfaqësuesit e UÇK-së e pranuan Marrëveshjen e Rambujesë në vitin 1999.

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës do të jetë e hapur për qytetarët deri në orën 8 të mbrëmjes të premten.

Demaçi do të varroset në Varrezat e Dëshmorëve të shtunën. Kortezhi do të niset nga “Salla 1 Tetori” në orën 11 dhe do të kalojë nëpër rrugët kryesore të qytetit para se të shkojë në varreza.