Kosovarët i brengos papunësia, korrupsioni dhe ngritje e cilësisë në shërbimet shëndetësore

Organizata Demokracia për Zhvillim (D4D) ka prezantuar analizën e dekadës së parë të shtetësisë së Kosovës ku janë diskutuar gjetjet e këtij raporti por edhe sfidat në shtetndërtimin e Kosovës.

Gersi Gashi, hulumtues i politikave për zhvillim në D4D, tregoi për pritjet që qytetarët i kanë pasur para pavarësisë dhe ngecjet të cilat kanë ndodhur.

“Gjatë kohës së UNMIK kemi pasur një mjegullim të pushtetit që rrjedhimisht do të sjellë edhe pjesën e mjegullimit të institucioneve që fillon të bartet edhe në pjesën e pas pavarësisë. Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë pritjet kanë qenë që brenda disa muajve të arrihen 100 njohje por edhe brenda 5 viteve Kosova të jetë pjesë e OKB”, tha ai.

Tutje ai përmendi edhe përzierjen e pushteteve e cila, sipas tij, mjegullon çështjen e kompetencave të institucioneve dhe bartësve të tyre.

Hulumtimi thotë se tri problemet kryesore të qytetarëve janë papunësia, korrupsioni dhe ngritja e cilësisë në shëndetësi.

Simon Ilse, kreu i Fondacionit ‘Heinrich Boll’, zyra rajonale në Serbi, Mal i Zi, Kosovë, tha se BE-ja vazhdimisht ka dashur që në Kosovë të krijojë një funksionim të rendit dhe ligjit.

Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit Ballkanik për Hartimin e Politikave, ka thënë se problemi kryesor është pronësia mbi procesin e shtetndërtimit në Kosovë duke shtuar se në stagnimet në kontekstin ndërkombëtar janë çështje shumë serioze për vendin.

“Problemi kryesor në shtetndërtim është pronësia mbi procesin e shtëtndërtimit që proceset ad-hoc dhe këtu mund ta shpjegojmë situatën aktuale ku këto 10 vite kanë dëshmuar që kemi deficit të madh të kapacitetit politik njerëzor për konsolidimin e shtetësisë se Kosovës. Kosova mbetet peng i këtij procesi të kontekstit ndërkombëtar dhe tani mund të kemi një stagnim serioz siç e tregoi edhe INTERPOL dhe është shumë më problematike sesa tregohet në media”, tha ai.