Foto: Buxhovi

'Kosova' VI,VII dhe VIII promovohet në Pejë

Historiani dhe shkrimtari Jusuf Buxhovi ka promovuar sot (e premte 7 dhjetor 2018) në qytetin e Pejës tri vëllimet e fundit të librit historiografik “Kosova”.

Promovimi është mbajtur në Kuvendin Komunal të Pejës, ndërsa me këtë rast Buxhovi pati një bashkëbisedim të hapur me audotiriumin pejanë rreth procesit të shtetndërtimit të Kosovës, sfidave dhe vështirësive.

Gjatë fjalës së tij Buxhovi ka thënë se shtetin e Kosovës e lindi lëvizja për barazi si një koncept politik që u shfaq në vitet e gjashtëdhjeta me kërkesën për Republikën e Kosovës, e cila, sipas tij, ishte dinamizuar me demonstratat e vitit 1981, prej nga pastaj në fund të viteve të nëntëdhjeta kur u rrënua autonomia e Kosovës me dhunë, u kthye në platformë politike të rezistencës institucionale deri te ajo e armatosur në vitet 1989-1999.

Si tillë, sipas tij, shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull.

“Vitet nën protektoratin ndërkombëtar kur edhe do të shpallet pavarësia, paraqesin një zhvillim dinamik të përcjellë me shumë ngjarje dramatike, që e ngadalësuan këtë proces ose e vështirësuan deri buzë dështimit”, ka thënë ndër të tjerash me këtë rast Buxhovi.