Takimi për idenë e tregut të përbashkët të Ballkanit Perëndimor - Foto: Facebook

Kosova Refuzon Idenë për Tregun e Përbashkët të Ballkanit Perëndimor

Qeveria e Kosovës vlerëson se tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i propozuar në Samitin e Sarajevës, nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve ku pretendohet të shtrihet prandaj Kosova duhet ta refuzojë.

Kështu është vendosur në një takim të thirrur nga kryeministri Isa Mustafa, në të cilin kanë marrë pjesë ministrat Enver Hoxhaj, Hykmete Bajrami dhe Mimoza Ahmetaj, drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, ekspertët Petrit Gashi e Gazmend Qorraj, si dhe këshilltarët e tij të ekonomisë, ku është diskutuar gjerësisht ky propozim.

“Shqyrtuam të gjitha aspektet dhe argumentet ekonomike, politike dhe integruese që lidhen më këtë iniciativë, duke ndarë bashkërisht mendimin se një treg i tillë nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve ku pretendohej të shtrihej, dhe se Republika e Kosovës duhet ta refuzoj një ide të tillë”, ka shkruar kryeministri Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas kryeministrit, në këtë takim është biseduar edhe për Marrëveshjen e CEFTA-s dhe vështirësitë që po hasin qytetarët e Kosovës në lëvizjen e lirë në rajon dhe më gjerë, me ç’rast pjesëmarrësit kanë premtuar angazhim më të madh për tejkalimin e këtyre problemeve.

“Në këtë aspekt, Kosova është lider në qasjen e saj, duke shmangur pengesa artificiale, të cilat vijnë në shprehje tek disa prej shteteve tjera, përkundër se janë pjesë e CEFTA-s”, ka shtuar Mustafa.

Po ashtu, kryeministri thekson se Republika e Kosovës është plotësisht e përkushtuar në rrugën integruese në BE dhe do të ndërmarrë të gjitha reformat e nevojshme, duke përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara në këtë rrugë.

“Por, Republika e Kosovës e konsideron të paqëlluar çdo lloj Unioni Doganor apo Tregu të përbashkët rajonal, i cili risjellë në opinion reminishenca të së kaluarës, të cilat nuk janë në interes të të gjitha vendeve”, theksoi ai.

http://kallxo.com/mustafa-kunder-unionit-doganor-te-ballkanit/