Tomë Gashi

Kosova 'Nuk do t`i Shohë Kurrë' Dosjet e Gjykatës Speciale

Tomë Gashi, i cili ka qenë avokati i vetëm nga Kosova që ka përfaqësuar një të akuzuar në Tribunalin e Hagës, thotë së nuk është mungesa e kompetencave arsyeja se nuk janë kërkuar deri më tani dosjet nga Haga, por sipas tij, është mungesa e vullnetit të institucioneve të Kosovës që t`i kërkojnë ato.

Gashi për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ka deklaruar se një numër i politikanëve vendorë nuk kanë treguar vullnet `që t`i kërkojnë dosjet e Hagës, pasi sipas tij janë potencialisht të dyshuar.

Kjo gjë, sipas tij, i ka dekurajuar edhe prokurorët vendorë që të kërkojnë informata nga Tribunali i Hagës dhe për t`i kërkuar të gjitha dosjet tani pas përfundimit të misionit të Tribunalit të Hagës.

“Kurrë nuk ka pasur vullnet politik dhe nuk ka as sot, që të kërkohen lëndët e caktuara për arsye se një pjesë e hierarkisë së lartë politike në Kosovë mund të supozoj se ka qenë edhe vet nën shënjestër të hetimeve penale nga Tribunali i Hagës. Dhe kjo mospërkrahje politike i ka dekurajuar edhe prokurorët që t`i kërkojnë ato lëndë”, ka thënë avokati Gashi.

Ai nuk e sheh problem që institucionet t`i drejtohen Hagës për t`i kërkuar lëndët të cilat mund të shërbejnë qoftë për ndonjë hetim, apo edhe për arkivat e shtetit.

Sipas tij problemi më i madh është tek rastet e Gjykatës Speciale, pasi sipas tij, deputetët e Kuvendit të Kosovës me miratimin e ligjit për gjykatën speciale e kanë paraparë ëmë dispozitë të këtij ligji që Kosova asnjëherë nuk do të mund t`i marrë lëndët që do të trajtohen nga Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale e cila e ka selinë në Hagë, nuk do t`i dorëzojë mjerisht kurrë dosjet të cilat hetohen, ato të cilat akuzohen, apo ato që do të gjykohen. Kjo për shkak se deputetet e Kuvendit ndër të tera atë që e kanë bërë shumë të dëmshme  për Republikën e Kosovës kur kanë votuar në gusht të 2015-ës për themelimin e Gjykatës Speciale, e kanë nënshkruar këtë ligj edhe me një nen përkatës ku Kosovës i ndalohet si shtet edhe në ardhmen që t`i ketë në arkivat e veta raste e Gjykatës Speciale”, ka thënë Gashi.