Kosova me 25 mijë përdorues droge të varur edhe 16 vjeçar

 Hulumtime të kryera nga OJQ dhe ekspertë llogarisin se në Kosovë janë rreth 25 mijë persona që përdorin substanca narkotike. Të dhënat e këtyre hulumtimeve tregojnë se konsumimi i drogës është në rritje

Në një situatë ku përdoruesit dhe njerëzit e varur nga droga janë shtuar kujdesi shëndetësorë ndaj personave të varur duhet të shtohet.

Drejtuesi i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labyrinth”, Safet Blakaj i tha BIRN se  në këtë qendër rreth 90 persona kërkojnë trajtim brenda ditës, kurse qendra ka të regjistruar 2412 persona si përdorues aktiv. Në këtë numër nuk janë të regjistrua personat nënë moshën 18 vjeqare.

Blakaj thtoë se përdoruesit kanë nisur të ndërrojnë llojet e drogave pasi varësia tani ka nisur të kaloi tek mariuhana dhe kokaina

“Është lajm i mirë që konsumimi i Heroinës  ka katër vite që shënon rënie nuk kemi të rinj që nën moshën 21 kanë filluar më heroinë, mirëpo janë rrit dukshëm përdorimi i marihuanës dhe kokainës” thotë Blakaj.

Ai është i shqetësuar me moshën e përdoruesve pasi thotë se kanë persona që në moshën 16 vjeçare është paraqitur për trajtim në qendrën e tyre.

Në rang vendi brenda vitit të kaluar Policia e Kosovës ka procedura penalisht 2 mijë e 322 persona të dyshuar për posedim dhe shitje narkotikësh. Nga ta 71 janë gra dhe të tjerët burra.

Në luftën e organizatës Labirinth  në shërimin e të varurve nga droga sipas Safet Blakaj duhet të kontriboj edhe edukimi për pasojat e drogë.

“Nuk kemi programe parandaluese në nivel shtetëror, kjo na shqetëson shumë, është patjetër e domosdoshme në çdo kusht që sa më shpejtë të fillohet me këto programe dhe  sidomos në shkolla me qëllim që të rinjtë të informohen për drogat”, tha Blakaj

 Përdoruesit e drogës të paragjykuar në shoqëri

Ndërsa, sipas psikoterapeutit Ylli Avdijaj arsyet që e shtyjnë një person të përdor drogë janë të ndryshme.

“Kurreshtja e personit për ta provuar drogën, duke u ndikuar nga filmat të cilët e promovojnë atë, dhe tendenca për t’u identifikuar me ta. Vetëbesimi I ulët, për t’u përballur me sfidat e ndryshme që i sjellë jeta, humbja e shpresës, depresioni,  dështimet jetësore dhe mungesa e perspektivës në mjediset ku jeton”, tha Avdijaj për BIRN.

Ai shtoi se mosha më e rrezikuar për fillimin e përdorimit të drogës janë adoleshentët.

“Dihet se periudha e adoleshencës është një faze shumë e ndjeshme e zhvillimit, në këtë rast edhe mundësit e mashtrimit janë shumë më të mëdha. Në këtë faze i riu dhe e reja fillojnë që ta perceptojnë vetën se tashmë janë të rritur dhe të shtyrë nga ideja se janë të gatshëm për të provuar edhe eksperienca dhe gjëra të reja si: duhani, alkooli, seksi e po ashtu edhe droga”, tha Avdijaj për BIRN.

Psikoterapeuti tha se përveç trajtimeve mjekësore është e rëndësishme që për përdoruesit e substancave narkotikë të mos trajtohen ndryshe në shoqëri.

“Një trajtim tjetër shumë i rëndësishëm është që ata të pranohen nga shoqëria, të mos paragjykohen, por të ndihmohen pasi që edhe ata janë pjesë e shoqërisë, të mundohen që ta kuptojnë gjendjen e tyre sepse kjo gjë që i ka ndodhur atyre, ndoshta do të mund t’i i kishte ndodhur secilit nga ne”, tha Avidjaj për BIRN.

Përdorimi i marihuanës, fenomen në rritje

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës dërguar për BIRN vetëm gjatë dy muajve të këtij viti janë regjistruar 217 raste të substancave narkotike, ku janë konfiskuar rreth 377 kilogramë marihuanë, 115 gramë kokainë dhe 2.5 gramë kokainë.

Sa i përket vitit që e lamë pas janë regjistruar 1866 raste. Në këto raste janë konfiskuar rreth 976 kilogramë marihuanë, rreth 119 kilogramë dhe 11 gramë hashash.

Ndërsa në vitin 2017 ishin 1368 raste të substancave narkotike, kurse në vitin 2016, 888.

Po ashtu policia gjatë dy muajve të vitit 2019 ka realizuar 146 operacione. 89 në muajin janar dhe 57 në muajin shkurt.

Qeveria e Kosovës në vitin 2018 kishte miratuar një strategji shtetërore për periudhën kohore 2018-2021 kundër narkotikëve por efektet e kësaj strategjie janë parë vetëm në rritjen e numri të të arrestuarve.

 

(Autorja është bursist i grantit të financuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile)