Foto: Kallxo.com

Kosova lufton radikalizmin në burgje me 20 imamë

Ministria e Drejtësisë dhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) nënshkruan sot një memorandum mirëkuptimi i cili i angazhon 20 imamë që të mbajnë ligjërata fetare në burgjet e Kosovës në përpjekje për deradikalizimin e të burgosurve.

“Do të jenë 20 imam besoj që janë imamë që neve na ka marrë mendja që kanë përgatitjen e tyre dhe kanë dhënë kontributin”, tha kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava pas nënshkrimit të memorandumit me ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Tahiri tha se një ndër preokupimet e Ministrisë së tij është edhe “deradikalizimi dhe integrimi i i personave me bindje radikale”.

“Si ministër i drejtësisë jam i përkushtuar që të kryejmë detyrat adekuate, ofrimin e sigurisë për zyrtarët fetar gjatë vizitës në shërbimet korrektuese. Ky është një moment i rëndësishëm që presim një bashkëpunim të ngushtë”, tha ai pas nënshkrimit të memorandumit.

“Tashmë kemi një propozim nga BIK besojmë që BIK të ofrojë integritet moral dhe të ndihmojë në deradikalizimin e atyre personave që janë kthyer nga Siria e Iraku dhe janë në qendrat e shërbimet korrektuese”, shtoi ai.

Paraprakisht, imamët që do të angazhohen në burgje duhet të verifikohen nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI).

“Ky do të jetë proces i vlerësimit. Kemi ndërtuar institucione të cilat do të merren edhe pas përfundimit të kohës së qëndrimit të atyre që janë nëpër shërbime korrektuese. Nuk mund t’i lihen rastësisë”, tha ai.

“Unë besoj që kemi kapacitete të mjaftueshme që të arrijmë ta kontrollojmë një proces të tillë”, tha ai.

Ai ka thënë se është qartësuar edhe çështja e literaturës që do të përdoret nga imamët, meqë në të kaluarën ka pasur raportime për përdorim të literaturës së dyshimtë nga të burgosurit, të dënuar për terrorizëm.

“Ka pasë literatura pa autorë dhe çdo literaturë që do të jetë në qendrat korrektuese do të jetë e autorizuar nga BIK”, tha ministri Abelard Tahiri.

Ndërsa myftiu Naim Tërnava tha se BIK do ta japë kontributin e vet në luftimin e çdo gjëje që, siç u shpreh, shkon në dëm të Kosovës.

“Do të jemi të përkushtuar që të luftojmë çdo ekstremizëm  dhe çdo radikalizëm pasi këto fenomene nuk kanë asnjë lidhje me fenë islame”, tha Tërnava.

“BIK ka qenë zëri i arsyes gjithherë ku ka ngritë zërin e saj dhe ka bërë të ditur që islami është larg këtyre dukurive negative”, tha ai.

Duke folur për imamët të cilët kanë kaluar në procese gjyqësore si të akuzuar për nxitje të të rinjve për të shkuar në luftën e Sirisë dhe Irakut, Tërnava u shpreh se vetëm një prej tyre ka marrë dënim nga gjykata.

“Nuk ka shumë imamë të akuzuar, kanë qenë krejtësisht të akuzuar 5 imamë dhe 4 janë liru të pafajshëm. Është vetëm një imam që vuan dënimin. Po i themi imam edhe pse nuk ka qenë i angazhuar nga BIK por ka vepru nga xhamia e Gjilanit”, tha Naim Tërnava.