Kosova lanson aplikacionin rreth cilësisë së ajrit

Me qëllim të informimit të qytetarëve të Kosovës rreth cilësisë së ajrit, sot u lansua aplikacioni për mobil ‘Kosovo AIR Quality’ në konferencën për shtyp të organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Fatmir Matoshi, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoi rëndësinë e këtij aplikacione në informimin e qytetarëve mbi ndotjen dhe pasojat e ndotjes në shëndetin e tyre.

“Ky aplikacion për monitorimin e cilësisë së ajrit, në shtatë rajone të Kosovës, do të informoj qytetarët në kohë reale rreth cilësisë së ajrit, ndotësve dhe pasojave të këtyre ndotësve në shëndet të qytetareve. Ky aplikacion është një hap më shumë për te përmirësuar cilësinë e ajrit.”, tha Matoshi.

Matoshi tutje falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen e këtij projekti dhe Institutin Meteorologjik të Kosovës që bën matjet e cilësisë së ajrit në territorin e Kosovës.

“Falënderoj Bashkimin Europian për mbështetjen dhe Institutin Hidrometeorologjik për punën e madhe që e bën që deri tani ka mbete e paparë”

Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor do të mundohet që ti shtojë stacionet monitoruese në territorin e Kosovës dhe do të bëj veprime konkrete për te përmirësuar cilësinë e ajrit, shtoi Matoshi.

“Me MCC (Millenium Challenge Cooperation) jemi duke punuar për te krijuar një sistem të qëndrueshëm për monitorim të ajrit, ndërsa më UNDP-në jemi duke punuar në një fushatë sensibilizuese rreth cilësisë së ajrit.”

Luigi Brusa, përfaqësues nga Komisioni Europian, tha që është shumë i lumtur që po lansohet një aplikacion i tillë me të dhëna rreth cilësisë së ajri, ku qytetarët në mënyrë transparente mund të informohen rreth cilësisë së ajrit të cilin po e thithin.

“Tani është me rëndësi që qeveria të marrë masat e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe të eliminojnë burimet e ndotjes.“ tha Brusa

Shumë shpejt në Kosovë do të merren hapa për ndërrimin e filterëve të Termocentralit ‘Kosova B’. Do të investojmë 80 milion euro në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe redukimin e ndotësve të liruar nga termocentrali. Po ashtu, po i japim përkrahje edhe Termokosit që të zgjerohet kogjenerimi në mënyre që të reduktohet shfrytëzimi i qymyrit dhe drurit për ngrohje në Prishtinë, shtoi Brusa.

Shkumbin Shala, ekspert i ajrit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, demonstroi aplikacionin dhe përdorimin e tij.

“Aplikacioni ofrohet në gjuhët zyrtare të Kosovës dhe përmban informata rreth cilësisë së ajrit në 8 stacione monitoruese ky maten parametra të ndryshëm. Ngjyrat dhe vlerat e cilësisë së ajrit paraqiten sipas Indeksit Europian të Kualitetit të Ajrit ne përputhje me Direktivat e BE-së.”, tha Shala.

Shala shtoi që ky është aplikacioni i parë deri më tani që i pasqyron disa parametra të caktuar të ajrit.

“Aplikacioni është i kuptueshëm edhe nga njerëzit qe nuk janë profesionistë, pasi që është i përshtatshëm dhe i lehtë për tu përdorur.”, tha Shala.

Aplikacioni mund të shkarkohet ne telefona iOS dhe Android.