Kosova Kujton Mbajtjen e Mësimit në Shkolla- Shtëpi

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami krahasoi periudhën e rezistencës së arsimit me kualitetin e tij në ditët e sotme kur Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur.

Në takim me personalitete të njohura, kontribuues në atë kohë, Ministri Bajrami tha se ajo periudhë është dëshmi se vullneti për një edukim cilësor i tejkalon të gjitha barrierat edhe infrastrukturore.

“Duke kujtuar këtë periudhë të mbijetesës, unë po shoh  shumë protagonistë këtu, ne duhet të jemi të  vendosur sot që pikërisht nëse në kushte të mbijetesës e kemi mbajtur gjallë shkollën shqipe, sot kemi për detyrë që të punojmë shumë që në kushte lirie, në kushte kur e kemi shtetin për të cilin ju keni sakrifikuar, të ndërtojmë një edukim cilësor si hap për përparimin e Kosovës”, tha Bajrami.

Nga viti 1992, shqiptarët e Kosovës u detyruan të gjejnë forma alternative të mbajtjes gjallë të sistemit arsimor pasi që administrata serbe nuk lejonte mbajtjen e mësimit shqip nëpër objektet shkollore.

Kjo formë e organizimit të mësimit zgjati në pjesën më të madhe të Kosovës deri në qershor të vitit 1999.

Megjithatë, Profesori Hajrullah Koliqi që kishte kontribuar në mësimdhënie në atë periudhë kohore, konsideron se entuziazmi për arsim nuk është i njëjtë edhe sot.

“Kam një përshtypje, një  frikë që nga ajo shkollë e madhe, nga ajo eksperiencë kemi mësuar apo respektojmë shumë pak sot, kështu që ai atributi i atëhershëm që quhej mrekulli për arsimin në Kosovë sot kam përshtypjen se pak a shumë është zvetënuar”, vlerëson Koliqi.

Në anën tjetër, profesori Halim Hyseni bëri thirrje për shënimin e kësaj date por duke mos iu referuar si sistem paralel arsimor pasi sipas tij, sistemi i shkollave-shtëpi ka qenë legjitim.

“Nuk ka qenë sistem paralel si thuhet por ka qenë sistem i vendit i organizuar mirë, i artikuluar. Sistem paralel ka qenë sistemi i Serbisë sepse është organizuar në kundërshtim me të gjitha aktet normative dhe me Kushtetutën që ju  e dini të Kosovës në atë kohë”, tha Hyseni.

20 janari 1992 shënon ditën kur në Kosovë filloi rezistenca e arsimit shqip duke u organizuar mësim në kushte shtëpiake nga pronarë vullnetmirë të shtëpive dhe mësimdhënës dhe drejtorë të shkollave që punuan pa pagesë.