Ministri Behgjet Pacolli me homologun grek, Nikolaos Kotzias - Foto: Facebook

Kosova Kërkon Mbështetjen e Greqisë për Anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikolaos Kotzias, me të cilin ka thënë se ka diskutuar për avancimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe për përforcimin e perspektivës europiane për tërë rajonin.

Sipas presidentit, Kosova dhe Greqia do të vazhdojnë t’i forcojnë marrëdhëniet bilaterale, duke bashkëpunuar dhe mirëkuptuar njëra-tjetrën.

“Greqisë i jemi shumë mirënjohës për rolin mbështetës në rrugën evropiane të Kosovës dhe e çmojmë që këtë vit ka pasur një ngritje të vëmendjes së Bashkimit Evropian për rajonin tonë”, ka theksuar presidenti Thaçi në profilin e tij në “Facebook”.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës është takuar me homologun e tij grek.

Në një postim në profilin e tij në “Facebook”, Behgjet Pacolli ka thënë se në takim me Kotzias ka kërkuar që biznesi grek të jetë edhe më i pranishëm në Kosovë.
Pacolli ka kërkuar nga homologu i tij grek mbështetjen e Greqisë që Kosova të bëhet pjesë e Interpol-it, UNESCO-s dhe organizatave të tjera.
“Mysafiri ishte shumë i qartë në mbështetjen e Greqisë për Kosovën, në Samitin e Sofies, në forume të tjera ndërkombëtare”, tha Pacolli.
Nikolaos Kotzias e ka ftuar ministrin Pacolli në një forum biznesi që do të mbahet në kryeqytetin grek.