Burimi: FFK

Kosova – Ishujt Faroe: Vazhdon shitja e biletave në tregun e zi

Sonte me fillim prej orës 20:45 Kosova do e zhvilloj ndeshjen e dytë në Ligën e Kombeve kundër Ishujve Faroe.

Kjo ndeshja e parë zyrtare e Kosovës që e luan në Kosovë, në stadiumin e sapo rinovuar që mban emrin e ish kryetarit të federatës së futbollit, Fadil Vokrri.

Mirëpo, organizmi i kësaj ndeshje nuk është pritur mirë nga qytetarët dhe futbolldashësit. Arsye për këtë janë bërë shitja e biletave për ndeshjen.

Biletat e ndeshjes janë shitur në kohë rekord, brenda pak orëve. Federata e Futbollit të Kosovës nuk e kishte parë të arsyeshme të vendosë limit se sa bileta mund të blihen nga një person fizik.

Potencialisht, një person ka mund të blejë sa të dojë bileta. Kjo ka bërë që një numër i madh i atyre që duan ta shohin debutimin e ekipit përfaqësues të Kosovës në futboll, të mos arrijnë të gjejnë biletë.

Andaj shumë prej atyre që kanë blerë bileta me numër të madh, kanë filluar t’i shesin ato në tregun e zi.

Shitja e biletave në tregun e zi ka filluar qysh ditën e parë kur dolën në shitje biletat. Ato po vazhdojnë të shiten edhe sot, vetëm pak orë para fillimit të ndeshjes.

Uebfaqja e njohur për shit-blerja, www.merrjep.com u ka mundësuar këtyre personave që të bëjnë biznes me bileta.

Çmimet në tregun e zi janë të dyfishuara e trefishuara.

KALLXO.com ka provuar të marrë një koment nga shefja e marketingut në FFK, Diturie Hoxha, por ajo është arsyetuar se nuk ka kohë, derisa ka thënë se më vonë do të përgjigjet për këtë.

Të premten Kosova barazoi pa gola në Azerbajxhan, kombëtare kjo që po shihet si kundërshtari më i fortë i Kosovës në grupin D.