Kosova i Kërkon Serbisë t’i Hapë Arkivat Ushtarake

“Hapja e arkivave të ushtrisë dhe policisë së Serbisë mund të na çojë te varret masive,” tha në një konferencë për shtyp të mërkurën, Prenk Gjetaj, kryetar i komisionit të qeverisë së Kosovës për personat e zhdukur.

Gjetaj tha se komisioni gjithashtu synon të kërkojë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar për të siguruar imazhet satelitore ushtarake që mund të ndihmojnë në identifikimin e vendeve të varreve masive.

Ai bëri disa herë thirrje për ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar nëse është e nevojshme për të hedhur dritë mbi fatin e më shumë se 1600 personave të zhdukur fati i të cilëve mbetet i panjohur që nga lufta në Kosovë.

“Ka ende varre masive,” u shpreh ai.

Ai shtoi se komisioni dhe skuadra mjekoligjore nga misioni i sundimit të ligjit të BE në Kosovë, Eulex do të punojnë së bashku për të hartuar një listë vendndodhjesh të mundshme për varret masive.

Gjetaj, që kryeson dialogun Kosovë-Serbi për të zhdukurit, tha se Prishtina po pret për vazhdimësinë e punës në gërmimin në një varr masiv të dyshuar në Krizevak, pranë Raskës në jug të Serbisë, pasi puna u ndërpre prej kushteve të këqija të motit.

Prishtina dyshon se ka një varr masiv potencial në Krizevak, pranë zonës ku u zhvarrosën në vitin 2014 eshtrat e dhjetëra shqiptarëve të Kosovës të vrarë në luftën 1998-99.

Komisioni gjithashtu theksoi se duhet një qendër përkujtimore që të ruajë dhe të ekspozojë të gjitha veshjet dhe sendet e tjera të lëna pas nga personat e zhdukur që janë identifikuar.

“Ato [veshjet dhe sendet] janë në një gjendje të keqe,” tha Gjetaj.

Ai shtoi se komisioni do t’i kërkojë misionit të OKB në Kosovë, UNMIK që të ofrojë kontenierë që do të ruajnë të gjitha sendet derisa të hapet qendra përkujtimore.

Gjetaj tha se deri më tani, eshtrat e 902 viktimave janë gjetur në Serbi dhe janë riatdhesuar në Kosovë.