Foto: Kallxo.com

Kosova i del në krah Ukrainës në lidhje me sovranitetin e saj

Kosova e mbështet Ukrainën si shtet të pavarur e sovran dhe integritet territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht dhe nuk i përkrah zgjedhjet që do të mbahen me 11 nëntor, e cila kundërshton pavarësinë e këtij shteti.

Kështu është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Ministria e Punëve të Jashtme, ku është thënë se kjo ministri shpreh qëndrimin zyrtar të mbështetjes së Ukrainës.

“Republika e Kosovës mbështet plotësisht Ukrainën si një shtet të pavarur, me sovranitet dhe. Ministria e Punëve të Jashtme shpreh qëndrimin e saj zyrtarë se Republika e Kosovës mbështet plotësisht Ukrainën si një shtet të pavarur, me sovranitet dhe integritet territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Ministria e Punëve të Jashtme kundërshton mbajtjen e “zgjedhjeve” më 11 nëntor, 2018 në të ashtuquajturën “Republikën Popullore të Donetskut dhe Luhanskut”, pasi që kjo është kundër frymës dhe përmbajtjes së Marrëveshjeve të Minskut, të cilat me dispozita të veçanta e rregullojnë organizimin e zgjedhjeve lokale në atë rajon”, është thënë në këtë komunikatë.

Ministria e Punëve të Jashtme po ashtu ka  konsideruar se ky proces i jashtëligjshëm mund të minojë të gjitha përpjekjet e deritanishme për arritjen e paqes në rajon “dhe thërret të gjitha palët të respektojnë dhe zbatojnë Marrëveshjet e Minskut, të cilat janë jetike për arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe paqësore për konfliktin e Ukrainës lindore.”

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se duhet të shmanget çdo veprim, i cili e pengon zbatimin e Marrëveshjeve të Minsku-ut, duke përfshirë të ashtuquajturat zgjedhje, rezultati i të cilave nuk do të ketë vlerë ligjore”, përfundon komunikata e MPJ-së.