ARKIV: Arrestim i një të dyshuari nga Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

Kosova ekstradon kosovarin Ahmet Ajeti në Tiranë, i dënuar me 20 vite burgim

Kosova ka ekstraduar kosovarin nga Lipjani, 35 vjeçarin Ahmet Ajeti në Tiranë, i dënuar me 20 vite burg për veprën penale tentim vrasje.

Policia e Shtetit ka njoftuar se i njëjti “..më datë 30.08.2005, shtetasit Ahmet Ajeti dhe O. K. të porositur nga shtetasit E. D. dhe A.C., kanë shkuar nga Tirana në Durrës për të vrarë shtetasin L. B.. Para se të kryhej atentati në afërsi të lokalit ku ndodhej L. B., shtetasi Ahmet Ajeti është konfliktuar me disa persona të panjohur dhe në grindje e sipër ka nxjerrë pistoletën dhe është vet plagosur”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Republika e Shqipërisë që nga muaji maj i vitit 2016 ka kërkuar që i dënuari me 20 vite burg të ekstradohet për shkak të veprave penale tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Kërkesa nga ana e Shqipërisë ishte bërë, por autoritetet në Kosovë nuk kishin arritur ta ekstradonin për shkak se i njëjti kishte bërë padi kundër vendimit të Ministrisë së Drejtësisë.

Si kishte ndodhur ngjarja:

Ahmet Ajeti 13 vite më parë, më saktësisht në gusht të vitit 2005, ishte porositur të vriste shtetasin shqiptar me inicialet L. B..

Ajeti ishte porositur nga dy shtetasit shqiptar E. D. dhe A. C..

Policia e Shtetit ka sqaruar rrethanat e 30 gushtit të vitit 2005, ku thuhet se para se të kryhej atentati, në afërsi ku ndodhej L. B.,  Ahmet Ajeti ishte konfliktuar me disa persona të panjohur dh duke u grindur ka nxjerrë pistoletën dhe është vetë plagosur.

Që nga viti 2016, Ahmet Ajeti ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL Tirana, pasi që Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në Tiranë, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprën penale “Vrasje me paramendim”, dhe “Armëmbajtje pa leje” .

KALLXO.com ishte interesuar të dijë në lidhje me neglizhencën e ekstradimit të shtetasit kosovar, Ahmet Ajeti në Tiranë.

Në disa pyetje dërguar Gjykatës Themelore të Prishtinës, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e kësaj gjykate për të dënuarin Ahmet Ajeti.

Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj gjykate ka thënë për KALLXO.com se kërkesa për ekstradim ishte bërë nga ana e Tiranës por Ahmet Ajeti kishte bërë padi ndaj vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për ekstradim.

Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktvendimin, ka lejuar ekstradimin e të njëjtit për në Republikën e Shqipërisë, por i njëjti pastaj ka bërë padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje  Administrative kundër vendimit të Ministrisë së Drejtësisë për ekstradim”, ka thënë Gashi për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Drejtësisë, të cilët kanë thënë se sipas tyre procedurat janë në zhvillim e sipër.

Në lidhje me rekomandimin e MD-së, KALLXO.com është interesuar përsëri të dijë se çfarë masash janë arritur në lidhje me ekstradimin.

Mirlinda Gashi nga Gjykata Themelore në Prishtinë kishte thënë për KALLXO.com se është lëshuar aktgjykimi për Ahmet Ajetin.

Tutje, Policia e Shtetit gjatë ditës së sotme ka treguar se kanë pranuar dokumentet e ekstradimit dhe se me anë të bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.