Ilustrim

Kosova e Shqipëria Bashkohen në Prodhimet Vendore

Kosova dhe Shqipëria duket do t’ia lënë të kaluarës pengesat në eksportin e prodhimeve vendore.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka zhvilluar takimin e parë si ministër me homologun e tij nga Shqipëria me Ministrin e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit te Ujërave të Republikës së Shqipërisë, Edmond Panariti.

Në këtë takim dy ministrat diskutuan për çuarjen përpara të bashkëpunimit të dy qeverive në fushën e bujqësisë, e veçanërisht në lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave bujqësore.

Krasniqi, tha se raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jenë shembulli më i mirë i bashkëpunimit rajonal. Ndërsa, shtoi se dy delegacionet biseduan për hapat konkret të cilat do t’i ndërmarrin në mënyrë që kur të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive ti konkretizojnë objektivat.

“Ne biseduam edhe për disa hapa konkret me dy delegacionet tona të cilat do ti ndërmarrim para mbledhjes së ardhshme të përbashkët të dy qeverive që do të mbahen në Tiranë, në mënyrë që veprimet dhe objektivat tona të përbashkëta ti konkretizojmë edhe me dokumentet qeveritare të cilat më pas do të jenë mjetet më të mira për ti realizuar këto qëllime dhe për ti jetësuar raportet ndërmjet dy vendeve në fushën e bujqësisë, tregtisë, importit dhe lëvizjes së produkteve bujqësore e kështu me radhë”, tha Krasniqi.

Ndërsa ministri nga Shqipëria Edomond Panariti tha se me Kosovën kanë arritur ti njësojnë standardet në fushën e shkëmbimit të drithërave dhe të miellit ku tash ka një paketë integrale të përbashkët.

Panariti tha se sot ia ka paraqitur ministrit Krasniqi propozimet e tyre për njësimin e standardeve edhe për artikujt e tjerë ushqimor duke filluar nga qumështi, vera, mjalti, vaji etj.

“Dokumentet të jenë unike dhe të njohura nga dy autoritetet tona. Kjo do të bëjë të mundur kalimin pa asnjë lloj pengese të mallrave me dokumentet përkatëse por që janë të njohura reciprokisht nga dy qeveritë tonë”, shtoi Panariti.

Parariti tha se dy vendet duhet të punojnë për krijimin e një tregu të përbashkët i cili për Panaritin konsiderohet të jetë bashkim i vërtetë i shqiptarëve.

“Dy vendet e tona duhet të punojnë për krijimin e një tregu të përbashkët, një hapësirë të përbashkët. Këtë e konsideroj si bashkimin e vërtetë të shqiptarëve, bashkimin ekonomik”, theksoi Panariti.

Për takimin e dy ministrave ka reaguar në rrjetin social në Facebook kryeministri i Shqipërisë Edi Rama të cilin e cilësoi si hap tjetër drejt bashkimit të forcave të kombit.

“Tjetër hap drejt bashkimit të forcave të kombit tonë! Sot në Prishtinë u vendos praktika e certifikatës së njëjtë për prodhimet bujqësore”, u shpreh Rama.