Kosova e Franca me marrëveshje për bashkëfinancim të bursave

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe zëvendësambasadorja e Francës, Carole Blestel-Feffer, nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancimin e bursave në nivel të studimeve Master me qëllim të promovimit të lëvizjes së studentëve kosovarë në Francë.

MAShT bën të ditur se kjo marrëveshje ka të bëjë me një projekt të përbashkët zhvillimi, në mbështetje të përpjekjeve të vazhdueshme të Kosovës për zbatimin e reformave në sektorin e arsimit të lartë.

“Ministri Bytyqi me këtë rast është shprehur se kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën, në veçanti për studentët kosovarë dhe një mundësi më shumë që ata të kenë më shumë hapësirë dhe shanse për shkollimin e lartë në vendin tuaj”, thuhet në komunikatë.

Bytyqi ka thënë se do të angazhohet që në sistemin e arsimit të ketë më shumë mundësi që nxënësit tanë të mësojnë gjuhën frënge, gjë që është në interesin e dyanshëm dhe në funksion të thellimit të miqësisë së përhershme.

Zv.amabasadorja citohet të ketë thënë se Franca do të vazhdojë të mbështesë zhvillimin e  arsimit në Kosovë, ndërsa sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëfinancimin tha se shpreson që nga kjo do të përfitojnë studentët më të mirë.