Kosova e Belgjika me marrëveshje sociale

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, pas një takimi që ka zhvilluar me Ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës, Francois Bontemps, kanë nënshkruar Instrumentet e Ratifikimit të Marrëveshjes për Sigurimet Sociale në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës.

“Kam nderin që sot, të nënshkruajmë Instrumentet e Ratifikimit, përmes së cilave konfirmojmë datën e hyrjes në fuqi të Marrëveshjes për “Sigurime Sociale” në mes të dyja vendeve. Marrëveshja e lartpërmendur, përveç rëndësisë së përmbajtjes së saj, po ashtu do të lidhet me një shtet mik të Republikës së Kosovës, me qëllim të promovimit dhe thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimin reciprok në fushën e sigurimeve sociale”, ka thënë Pacolli.

Me këtë Marrëveshje, do t’i mundësohet shtetasve të dy shteteve, e drejta e tyre në pensionet kontribut-paguese (duke përfshirë dhe pensionet e kursimeve individuale – trusti pensional), pensionet familjare dhe pensionet invalidore të punës.

Me këtë Marrëveshje, shtetasve kosovarë të cilët kanë punuar një kohë të gjatë në Belgjikë iu mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë.

Gjithashtu, shtetasve kosovarë do t’i mundësohet e drejta për t’i bashkuar periudhat e kontributeve (stazhit të punës), në mënyrë që të realizojnë pensionin, në rastet kur nuk është e mundur që të plotësojnë kushtet ligjore për pensionim qoftë në Kosovë apo në Belgjikë.

Në anën tjetër, personat të cilët banojnë në Belgjikë dhe plotësojnë kushtet për përfitim të ndonjërit pension sipas legjislacionit të zbatueshëm, pala kosovare është e obliguar që ta transferojë pagesën e pensionit nga Kosova në Belgjikë.

Sipas marrëveshjes, çdo shtetas (kosovar apo belg), ka të drejtë të aplikojë në ndonjërin prej dy vendeve në këto lloje të përfitimeve.

Kjo marrëveshje ishte nënshkruar më 20 shkurt 2018 në Bruksel, ndërsa pas në​nshkrimit dhe shkëmbimit të instrumenteve të ratifikimit ajo hyn në fuqi më 1 Qershor, 2019.

Në aspektin bilateral Kosova dhe Belgjika janë përqendruar në rritjen e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe sigurisë, ndërsa në atë multilateral, Belgjika vazhdon ta mbështes Kosovën në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Republika e Kosovës ka pranuar mbështetje të madhe nga Belgjika, sidomos në Organizatën Botërore të Doganave (OBD); në avancimin e statusit në Frankofoni, ndërsa vazhdon të përkrahë fuqishëm vendin tonë edhe për anëtarësimin në Interpol dhe agjendën evropiane.

Mbretëria e Belgjikës kishte qenë njëri ndër shtetet e para, që e kishte njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, më 24 shkurt 2008.