Kosova dhe Shqipëria synojnë thellimin e bashkëpunimit në arsim

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur në një takim anëtarët e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjete të Informimit të Shqipërisë ku biseduan për thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve.

“Isha i nderuar që të kem sot në takim anëtarët e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjete të Informimit të Shqipërisë, të prirë nga kryetarja znj. Fatjona Dhimitri, e të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi”, njoftoi ministri Bytyqi në “Facebook”.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria duhet të unifikojnë sistemin e arsimit mes vete.

“Ishte një takim shumë i rëndësishëm, ku biseduam për thellimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit, ndërsa theksova nevojën e unifikimit të sistemit arsimor, duke qenë se është në interes të të dyja vendeve”, deklaroi ministri i arsimit në Kosovë.

Ai, po ashtu njoftoi se dy shtet kanë filluar zbatimin e marrëveshjes për shkëmbim të nxënësve të nivelit në arsimin e mesëm.

“Prej kohës sa jam në krye të Ministrisë së Arsimit, ekziston një bashkëpunim i ngushtë dhe shpesh kemi dalë përtej marrëveshjeve formale. Në kuadër të kësaj kemi filluar edhe zbatimin e marrëveshjes për shkëmbim të nxënësve të nivelit të arsimit të mesëm, e cila është pilotuar me sukses”, shkroi ai.