Kosova dhe Franca nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim të specializuar policor

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur që ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim të specializuar policor më ministrin e Brendshëm të Francës , Christophe Castaner.

Haradinaj po ashtu ka thënë se nga ministri i Brendshëm i Francës ka kërkuar mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Me ministrin Castaner për përkrahjen franceze për lëvizje të lirë dhe nënshkrim të marrëveshjes për bashkëpunim të specializuar policor! Në takim me ministrin e Brendshëm të Francës, Christophe Castaner, kërkova mbështetjen e Francës në procesin e liberalizimit të vizave, si një hap tejet të rëndësishëm për vendin. Në këtë frymë, bashkë nënshkruam edhe letrën e qëllimit të mirë, për të luftuar krimin e organizuar, terrorizmin dhe migrimin ilegal”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Tutje Haradinaj ka bërë të ditur që ka njoftuar ministrin Castaner për progresin që Kosova e ka bërë në luftën kundër korrupsionit.

“Theksova se Kosova është palë serioze për partneritet dhe se me lëvizjen e lirë, vendet europiane fitojnë mundësi më shumë. Ministrin Castaner e njoftova edhe për të arriturat në vendin tonë, përkushtimin e Qeverisë në forcimin e rendit dhe ligjit, luftimin e terrorizmit, dhe synimin e Kosovës për t’u integruar në BE dhe në NATO”, ka shkruar tutje Haradinaj.

Kryeministri i vendit, po ashtu ka bërë të ditur që e ka falënderuar ministrin Castaner për ndihmën që Franca e ka dhënë deri tani për Kosovën.

“Falënderova ministrin Castaner për ndihmën e vazhdueshme që Franca i ka dhënë vendit tonë në të gjitha periudhat e shtetndërtimit dhe konsolidimit të institucioneve demokratike dhe në këtë fazë të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të vendit, partneriteti i shtetit mik vazhdon të jetë i nevojshëm”, ka theksuar Haradinaj.