Ndotja e ajrit Prishtine, 30 janar 2018 - Foto: Atdhe Mulla

Kosova dështon të përmbushë standardet e cilësisë së ajrit

Kosova bën pjesë në mesin e shumë vendeve evropiane që nuk po përmbushin standardet ndërkombëtare dhe evropiane për cilësinë e ajrit.

Në gjetjet e një auditimi të përbashkët të kryer nga 14 Zyra të Auditimit Evropian, përfshirë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, është konstatuar se shumë qeveri kanë dështuar për të ndërmarrë veprime efektive për të përmirësuar cilësinë e ajrit dhe për rrjedhojë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tyre.

Sipas raportit, vetëm gjendja në Estoni ka treguar që është në përputhje me të gjitha standardet relevante të BE-së.

Raporti i auditimit të përbashkët “Cilësia e Ajrit” i cili është kryer nga Zyrat Kombëtare të Auditimit të 14 vendeve nga Evropa dhe Regjioni, përfshirë Zyrën Kombëtare të Auditimit të Izraelit dhe Gjykatën Evropiane të Auditorëve.

Qëllimi i këtij auditimi ishte të konstatojë nëse qeveritë e vendeve në fjalë po ndërmarrin veprime për të përmirësuar cilësinë e ajrit. Zyrat Kombëtare të Auditimit që morën pjesë në auditim janë: Bullgaria, Estonia, Hungaria, Holanda, Polonia, Rumania, Sllovakia, Maqedonia, Kosova, Moldavia, Zvicra, Izraeli dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve.

Foto: ZKA

Auditimi i përbashkët zbuloi mospërputhje të mëdha ndërmjet 15 vendeve të mbuluara nga auditimi. Në njërën anë ishte Estonia, e cila u konstatua se ishte në përputhje me të gjitha standardet relevante. Në anën tjetër ishin vendet që Komisioni Evropian kohët e fundit i solli përpara Gjykatës Evropiane të Drejtësisë për shkak të dështimit të tyre të vazhdueshëm për të përmbushur vlerat kufitare.

Raporti i përbashkët i auditimit bazohet në auditimet kombëtare të kryera në të gjitha vendet pjesëmarrëse, plus një auditim të gjerë në BE.

“Në Kosovë, qëllimi i Zyrës Kombëtare të Auditimit ishte vlerësimi i aktiviteteve të subjekteve përgjegjëse të nivelit qendror në vendosjen e kornizës ligjore si parakusht për përmirësimin e gjendjes së cilësisë së ajrit si dhe vendosjes së mekanizmave të përshtatshëm të monitorimit dhe raportimit, si dhe vlerësimi i aktiviteteve të nivelit lokal në miratimin e planeve lokale të veprimit për cilësi të ajrit si dhe përfshirjen e tyre në menaxhimin e gjendjes së cilësisë së ajrit në nivel lokal”, thuhet në njoftimin e ZKA-së.

Ekipi Kosovar i auditorëve ka gjetur se, sistemi i tillë i monitorimit dhe raportimit, që menaxhohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe mekanizmat e saj, nuk u ofron qytetarëve të Kosovës një pasqyrë reale të gjendjes së cilësisë së ajrit, e sidomos jo në kohë reale.

Direktiva e BE-së

Në vitin 2008, Bashkimi Evropian përcaktoi vlerat kufitare për një numër të madh të ndotësve të ajrit. Ndotësit kryesorë janë grimcat (të gjeneruara nga konsumi i energjisë dhe trafiku), oksidet e azotit (trafiku) dhe dioksidi i squfurit (djegia e qymyrit).

Sipas kushteve të Direktivës në fjalë, shtetet anëtare ishin të detyruara të analizonin cilësinë e ajrit në vendet e tyre, t’i raportojnë rezultatet Agjencisë Evropiane të Mjedisit dhe të hartojnë plane për përmirësimin e cilësisë së ajrit në ato raste ku tejkalohen vlerat kufitare përkatëse.

Komisioni Evropian është i autorizuar të ndërmarrë veprime nëse shtetet anëtare dështojnë të jenë në përputhje me Direktivën. Nëse gjithçka tjetër dështon, Komisioni ka të drejtë të fillojë procedurën në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.

400 mijë vdekje të parakohshme

Nga të gjitha llojet e ndotjes së mjedisit, ndotja e ajrit është rreziku i vetëm më i madh shëndetësor në botë. Në një raport të botuar në shtator 2018, Gjykata Evropiane e Auditorëve shkruante se ndotja e ajrit ishte shkaku i 400,000 vdekjeve të parakohshme në BE çdo vit dhe se masat e marra nga BE për të luftuar problemin nuk kishin pasur efektin e dëshiruar.

Gjithashtu janë analizuar efektet mbarë botërorë të ndotjes së ajrit. Gjatë konferencës së parë ndërkombëtare mbi ndotjen e ajrit dhe shëndetin, të mbajtur në vjeshtën e vitit 2018, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) njoftoi se një në çdo nëntë vdekje në botë u shkaktua nga ndotja e ajrit.

Raporti është publikuar nga të gjitha institucionet supreme të auditimit pjesëmarrëse në auditim, Gjykata Evropiane e Auditorëve si dhe Agjencioni Evropian i Mjedisit. Ndërsa mund ta gjeni edhe në uebfaqen e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në këtë vegzë.  

Ilustrimi: Kallxo.com 

Auditori me gjetje skandaloze për cilësinë e ajrit

Gazeta JnK kishte shkruar për gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit në lidhje me cilësinë e ajrit.

Vetëm dy nga dymbëdhjetë stacionet për monitorimin e cilësisë së ajrit kanë qenë funksionale gjatë tërë vitit 2017. Pjesa tjetër e stacioneve kanë pas probleme ose nuk kanë funksionuar fare. Madje, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se disa nga stacionet që janë nëpër pikat më të ndotura në Kosovë nuk kanë funksionuar gjatë muajve kur ndotja është më e madhe.

Këto të gjetura janë pjesë e raportit auditimit të Performancës “Mekanizmat institucional për rregullimin ligjor, monitorimin dhe raportimin e cilësisë së ajrit”. Në raport thuhet se gjatë viteve 2016 dhe 2017, parametrat e rrezikshëm për shëndetin e njeriut siç janë grimcat e pluhurit PM10 dhe PM2.5 , nuk janë raportuar për muaj të tërë, e sidomos gjatë muajve të dimrit kur këta parametra arrijnë vlera maksimale.

Auditori me gjetje skandaloze për cilësinë e ajrit

.