Kosova Dështon në Ruajtjen e Veshjeve të Viktimave të Zhvarrosura të Luftës

Me mijëra rroba të veshura nga viktimat e luftës në momentin e vdekjes, mbeten në Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, edhe pse familjarëve iu tha se ato të gjitha do të ruheshin në Muzeun Kombëtar.

Me mijëra familje pranuan të linin veshjet e të afërmve të tyre të vdekur në Departamentin e Mjekësisë Ligjore me mirëkuptimin se ato do të ruheshin më mirë në Muzeun Kombëtar të Kosovës sesa në shtëpitë e tyre, por BIRN ka mësuar se kjo në të vërtetë nuk ka ndodhur.

Me dhjetëra kuti me veshjet e viktimave janë bërë pirg brenda një tende të madhe në oborrin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, përveç shtatë kontejnerëve prej metali tashmë e mbushur me veshje.

Zyrtarët e  Kosovës dhe Muzeut Kombëtar nuk bien dakord mbi arsyet për mungesën e marrjes së masave për këtë gjë.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, si edhe presidenti i komisionit qeveritar të Kosovës për persona të zhdukur, Prenk Gjetaj, tha se në prill të vitit 2011 me Muzeun Kombëtar u firmos një memorandum mirëkuptimi Muzeun, i cili e detyron atë të marrë deri në 100 kuti me veshje në muaj dhe t’i ruajë ato.

Por ata thonë se muzeu ka marrë vetëm 10 komplete veshjes në vitin 2011. “Na thanë se kishin nevojë të blinin disa paketime speciale,” tha Gërxhaliu për BIRN.

Gjetaj tha se memorandumi me muzeun ishte një masë e përkohshme derisa të gjendej një zgjidhje e duhur. “Veshjet janë në gjendje të keqe dhe ndodhen nëpër kontejnerë,” tha ai.

Por zëvendësdrejtori i Muzeut Kombëtar, Milot Mustafa, tha se ai nuk ishte në dijeni të ekzistencës së ndonjë memorandumi mirëkuptimi me autoritetet.

Mustafa, i cili ka qenë në krye të drejtimit të muzeut që nga dhjetori i kaluar, tha se ai kishte kontrolluar në zyrë dhe i kishte pyetur kolegët, por nuk ishte gjetur asnjë dokument i tillë.

“Edhe nëse ka një marrëveshje të tillë, në muze nuk ka asnjë që mund të merret si duhet me veshjet sepse nuk kemi një ekspert për ruajtje tekstilesh,” tha Mustafa për BIRN.

Gjetaj i tregoi BIRN një dokument që ai tha se ishte memorandumi i mirëkuptimit. Por në dokument ishte regjistruar vetëm dorëzimi i dhjetë kompleteve të veshjeve për një ekspozitë në muze.

“Kompletet ishin për ekspozitën. Pas kësaj, ka pasur një lloj detyrimi moral nga ana morale e muzeut për të marrë veshjet e tjera. Por ata nuk kishin kuti me anti-acid,” tha Gjetaj.

Gjetaj ndërkohë tha se kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe ministri i kulturës, Kujtim Shala, po e mbështesin atë në një përpjekje për të gjetur një vend ku të ngrenë një ndërtesë për të ruajtur rrobat.

Hysni Berisha, kreu i shoqatës së personave të zhdukur “Shpresimi” nga Suhareka, tha se veshjet duhen trajtuar mirë, duke shtuar faktin që ato janë objekte të luftës dhe si të tilla kishte një vlerë të paçmuar për shoqërinë.

“Ata s’kanë punuar aspak në këtë drejtim. Thjesht i marrin dhe i hedhin veshjet diku tjetër,” tha Berisha për BIRN.