Foto-ilustrim

Kosova, Bosnja e Kroacia 'më të Trazuarat' nga Korrupsioni

Njerëzit në vendet e Ballkanit e shohin korrupsionin si një nga probelemet kryesore në shoqëri, shpesh i shohin edhe politikanët si të korruptuar, ndërsa në shumë raste nuk besojnë se qeveritë e tyre po e luftojnë këtë fenomen, thotë raporti i ri i organizatës ndërkombëtare Transparency International.

Në mesin e vendeve ballkanike të përfshira në hulumtim, 65 përqind e të anketuarve në Kosovë e listojnë korrupsionin si një nga tri problemet më të mëdha që duhet të adresohen nga qeveria, pak mbrapa Moldavisë dhe Spanjës, në të cilat të njëjtën e kanë theksuar 67 respektivisht 66 përqind e të anketuarve.

Në Bosnjë, 55 përqind e të anketuarve e shohin korrupsionin si një nga problemet kryesore që duhet të adresohet nga qeveria. Në Kroaci kjo shifër arrin në 51 përqind, në Rumani 49 përqind. Në Greqi, vetëm 24 përqind e të anketuarve e shohin korrupsionin si një nga problemet kryesore.

Sipas raportit, 82 përqind e të anketuarve në Bosnjë mendojnë se qeveria e tyre e lufton korrupsionin “shumë keq” ose “disi keq”, përderisa 69 përqind e të anketuarve në Kosovë e mendojnë të njëjtën, të ndjekur nga grekët me 59 përqind dhe kroatët me 57 përqind.

Vendet e Ballkanit në të cilat njerëzit besojnë se qeveria po e lufton korrupsionin “disi mirë” ajën Shqipëria ku 40 përqind e të anketuarve e mbajnë këtë mendim, Serbia me 28 përqind dhe Rumania me 27 përqind.